Kufi (Foto RTSH)
Numri i kalimeve të paligjshme në Bashkimin Europian ra në 166 mijë në nëntë muajt e parë të vitit, 42 për qind më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Sipas Agjencisë europiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, rënia më e ndjeshme e këtyre kalimeve është shënuar në rrugën e Ballkanit Perëndimor, që përdoret nga emigrantët e paligjshëm si trampolinë për në vendet e BE-së, ku numri i këtyre kalimeve ishte rreth 17 mijë, rreth 79 për qind më pak se një vit më parë, shkruan “RTSH”.
Rruga e dytë e përdorur më pak nga emigrantët e jashtëligjshëm është ajo e Mesdheut Qendror, e cila përdoret nga emigrantët e nisur nga Afrika e veriut drejt Italisë dhe Maltës, ku në nëntë muajt e parë të këtij viti u regjistruan 47.700 kalime të parregullta, ose 64 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit 2023.
Sipas Frontex, rritje pësuan kalimet e jashtëligjshme nga Bjellorusia, Moldavia, Ukraina dhe federata ruse drejt vendeve në kufijtë lindorë të BE-së, që janë Estonia, Finlanda, Hungaria, Letonia, Lituania, Norvegjia, Polonia, Sllovakia dhe Rumania, duke shkuar këtë vit në 13.200 ose 192 për qind më shumë se një vit më parë.
Një rritje prej 100 për qind kanë shënuar edhe kalimet e jashtëligjshme në të ashtuquajturën rrugë e Afrikës Perëndimore. Ndërsa kalimet e jashtëligjshme në kanalin e La Manshit u rritën me 2 për qind, duke kapur shifrën e 47.514 në tre muajt e parë të këtij viti.
Tre vendet kryesore të origjinës nga vijnë emigrantët e jashtëligjshëm janë Siria, Mali dhe Ukraina.