Sejko: Ekonomia në trend pozitiv, inflacioni më i ulëti në rajon dhe në Europë
2024-10-17 17:27:36

Guvernatori Sejko takim (Foto ATSH)

Guvernatori Sejko takim (Foto ATSH)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një takim me shefin e Sektorit Ekonomik Rajonal për Ballkanin Perëndimor, pranë Ambasadës së Republikës Franceze, Pierre Grandjouan, prezantoi zhvillimet ekonomike në vend, ku theksoi se rritja ekonomike është në trajektore pozitive zhvillimi dhe balancat kryesore ekonomike pritet të forcohen në vitet e ardhshme.

Lidhur me ecurinë e inflacionit, guvernatori u shpreh se ai ka ardhur në rënie të shpejtë, duke shënuar dhe një rikuperim të plotë të goditjes së pësuar nga rritjet e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, citon “ATSH”.

Lidhur me sistemin financiar, guvernatori Sejko u shpreh se ai karakterizohet nga nivele të kënaqshme kapitalizimi dhe likuiditeti. Guvernatori u ndal gjithashtu në panoramën e sektorit bankar, ku veçoi dy elementë kyç, rritjen e kreditimit dhe përmirësimin e treguesit të kredive me probleme.