Situata humanitare në Gazë, Britania e Madhe kërkon takim urgjent të OKB-së
2024-10-17 10:44:22

Gaza (Foto RTSH) 

Mbretëria e Bashkuar ka bërë thirrje për një takim urgjent të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të diskutuar situatën humanitare në Gaza.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë ka theksuar se vendi i tij, së bashku me Francën dhe Algjerinë, kanë thirrur një takim urgjent në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. David Lammy është shprehur në një deklaratë se Izraeli duhet të sigurojë që civilët të mbrohen dhe rrugët të jenë të hapura për të lejuar ndihmat për të shpëtuar jetën dhe se takimi i Kombeve të Bashkuara do të trajtojë këto çështje, citon “RTSH”.

Ndërkaq, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka deklaruar se Britania po mendon të sanksionojë ministrin izraelit të Financave, Bezalel Smotrich, dhe ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, mbi komentet që ata kanë bërë në lidhje me luftën e Izraelit kundër Hamasit.

I pyetur nëse qeveria e tij do ta sanksiononte Smotrich për komentet se civilët e uritur në Gaza mund të justifikoheshin dhe Ben Gvir, që tha se autorët e dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor ishin heronj, Starmer tha: “Ne po e shikojmë këtë sepse ato janë padyshim komente të neveritshme”.