Eurostat: Shqipëria kryeson në Europë, mbi 46% e popullsisë në rrezik varfërie
2024-10-17 10:37:06

 Varfëria (Foto Panorama)

Sipas të dhënave të Agjencisë Europiane të Statistikave, Eurostat, mbi 46 për qind e popullsisë në Shqipëri është në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social. 

Vlerësimi për Shqipërinë në raportin e publikuar të martën mbi rrezikun e varfërisë dhe përjashtimin social në Europë, bazohet te të dhënat e vitit 2021, periudhë kur në rajonin jugor të vendit 46.5% e popullsisë ishte në rrezik varfërie dhe përjashtimi social, në rajonin qendror 46.6% dhe në rajonin verior 46.7%, shkruan “Panorama”.

Treguesit për Shqipërinë, sipas Eurostat-it, janë dukshëm më të lartë krahasuar me vendet e tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor, ku Mali i Zi ka 34.1% të popullsisë në rrezik varfërie, Maqedonia e Veriut 32.6%, Serbia 30% ndërsa për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën nuk ka të dhëna.

Të dhënat e Eurostat-it për vendet e Bashkimit Europian flasin se, në vitin 2023, rreth 21.4% e popullsisë europiane ose 94.6 milionë banorë ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social.

Nivelet më të larta të popullsisë në rrezik varfërie, sipas Eurostat-it u regjistruan në rajonet më të largëta franceze, në Italinë jugore dhe në rajonet rurale rumune.

Sipas përcaktimeve të Eurostat-it, rreziku për të qenë i varfër përfshin ata persona që janë të privuar rëndë nga ana materiale dhe sociale dhe jetojnë në familje me të ardhura shumë të ulëta nga punësimi.