Pagesa elektronike (Foto Facebook)
Qeveria po teston më tej teknologjinë e inovacionit në fushën e pagesave. Edhe pse Shqipëria ka avancuar në përdorimin e kartave për kryerjen e pagesave, sërish niveli mbetet i ulët. Për të nxitur më tej këtë ka nisur një projekt pilot. Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj tregon detajet e kësaj nisme.
“Projekti pilot që kemi nisur prej disa muajsh tashmë lidhet me testimin e teknologjive të inovacionit në fushën e pagesave. Në fakt qeveria shqiptare është e angazhuar që të fusë inovacionin, të promovojë inovacionin në të gjithë sektorët por është e pamundur që gjithë sektorët e ekonomisë të inovojnë, të digjitalizohen pa pasur ndërlidhjen me pagesat pasi pagesat hyjnë kudo. Shqipëria prej vitesh ka avancuar në procesin e përdorimit të kartave megjithatë niveli mbetet shumë i ulët krahasuar me vendet e BE-së. Për këtë arsye ne menduam që të fillojmë këtë projekt pilot që të nxisë pagesat elektronike, përdorimin e pagesave e solucioneve të pagesave nga kompanitë intech që janë krijuar nga kompanitë intech që përgjithësisht kanë kosto më të ulët për biznesin dhe janë më të thjeshta për qytetarët. “
Fillimisht është përzgjedhur një numër i caktuar individësh.
“Ne kemi përzgjedhur 300 individë në tre vende të ndryshme të Shqipërisë, në Tiranë në Përmet dhe në Dibër dhe për një periudhë katër mujore këta individë do të marrin një pagesë 10 mijë lekë çdo muaj me qëllim që këto para t’i përdorin nëpërmjet aplikacioneve të pagesave të shpejta siç i kemi quajtur. Janë aplikacione që kanë vite që janë krijuar dhe megjithatë niveli i përdorimit të tyre është i ulët. Këto aplikacione paguajnë nëpërmjet skanimit të një kodi QR dhe kështu krijohet ndërveprimi ndërmjet pagesës dhe blerjes. Ne në këtë projekt pilot në veprim e kemi krijuar nëpërmjet skanimit të kodit QR të faturës së fiskalizuar për t’u munduar që pagesat t’i lidhim nëpërmjet faturave elektronike të lëshuara tashmë nga çdo biznes në gjithë Republikën e Shqipërisë pasi është një detyrim ligjor që çdo faturë të ketë një kod QR të fiskalizuar.”
Sipas Ibrahimajt, projekti ka për synim në radhë të parë të testojë pagesat elektronike dhe ndërlidhjen e tyre me sistemin e fiskalizimit dhe gjithë procesin teknik dhe të logjistikës së pagesës nga ana tjetër, të kuptojë se cilat janë problematikat nga ana e edukimit.
“Qoftë për individët e moshave të ndryshme, qoftë për bizneset të cilat gjithashtu nuk janë mësuar që ta përdorin këtë formë pagese si pagesë normale, duke qenë se në Shqipëri 98% e pagesave kryhet nëpërmjet Cash sidomos në sektorët e tregtisë dhe të shërbimeve ku ka më shumë ndërlidhje mes biznesit dhe konsumatorit. Pra këto të dy janë qëllimet kryesore të projektit pilot dhe në përfundim të projektit ne do të dalim në bazë të të dhënave, të analizave që ne jemi duke kryer qoftë të sjelljes konsumatore, qoftë të proceseve. Ne do të dalim me disa rekomandime me qëllim që të ndërmarrim nisma ligjore nënligjore për rritjen e përdorimit të pagesave elektronike në vend.”
Ministrja Delina Ibrahimaj(Foto Shqiptarja.com)
Për Revistën Monitor, ministrja tha se janë zgjedhur grupmosha të ndryshme për këtë projekt pilot.
“Ne jo pa qëllim kemi përzgjedhur grupmosha të ndryshme pikërisht për të analizuar sjelljen e çdo grupmoshe. Nëse ne duam të bëjmë fushata edukimi, nëse ne duam që përdorimi i pagesave të jetë i shpërndarë në të gjithë popullatën duhet fillimisht të kuptojmë se kush janë barrierat e përdorimit të tyre për gjithë popullatën, prandaj kemi vendosur që të marrim individë nga mosha 18 deri në moshën 70 vjec, sipas grupmoshave të ndryshme për të kuptuar sjelljen e gjithsecilit. Sigurisht, siç e prisnim me rritjen e grupmoshës ka më shumë vështirësi, por interesante është se vështirësitë nuk vijnë në lidhje me përdorimin e aplikacionit, por me çeljen e një llogarie bankare, me transferimin e parave nga llogaria bankare në E-vvallet të aplikacionit që po testohet dhe pastaj në momentin që paratë janë në E-wallet dhe moshat e mëdha nuk kanë hasur ndonjë vështirësi në përdorimin e këtyre aplikacioneve. “
Pavarësisht moshës, shumë pensionistë kanë arritur të përshtaten me teknologjinë.
“Pjesa e parë e transferimit të parave i duket e komplikuar ndërkohë që nuk i duket fare e komplikuar të paguajnë me aplikacion, pasi ka shumë pensionistë që janë të kënaqur që të mos marrin kuletën me vete, nuk e kanë rrezikun që paratë t’i humbin pasi i kanë në telefon dhe telefonin e kanë gjithsesi e kanë me vete. U është dukur shumë më i thjeshtë se përdorimi i parasë Cash dhe për më tepër përdorimi i këtyre aplikacioneve dhe një regjistër të të gjithë shpenzimeve që ke kryer. Nëse do t’i kthehesh pas atyre gjërave që ke paguar pasi e ka memorien telefoni dhe nuk ka nevojë t’i shënosh apo t’i mbash mend se çfarë shpenzimesh ke kryer. Ndonëse ne prisnim që në përdorimin e aplikacionit të kishte vështirësi, nuk ka pasur.”
Teknologjia (Foto ATSH)
Eshtë menduar që testimi të ketë edhe një shpërndarje gjeografike.
“Nga ana tjetër ne jemi munduar që të kemi një shpërndarje gjeografike, siç kemi zgjedhur Tiranën, Peshkopinë dhe Përmetin dhe pikërisht për të testuar këto kategori moshash dhe në vende të ndryshme sepse Tirana është padiskutim një qytet që përballet më shumë me zhvillimet teknologjike dhe është më i zhvilluar. Ndërkohë që po shohim dhe Dibrën dhe Përmetin dhe projekti ndonëse fillimisht ka pasur problematika kryesisht të lidhura me llogaritë bankare dhe transferimet apo dhe vetë bizneset, të cilat kanë qenë dhe kanë pasur pikëpyetje për përdorimin e këtyre pagesave, me kalimin e kohës po mësohen. Megjithatë ne do të bëjmë një analizë të thelluar të të gjithë sjelljes së grupmoshave sipas dhe shpërndarjes gjeografike dhe grupmoshave dhe në fund do të dalim me disa propozime që janë edukimet.”
Rezultatet që do të dalin nga projekti, do t’i krijojnë mundësinë grupit të punës të bëjë propozime dhe rekomandime, duke i hapur kështu rrugë një faze të dytë të zbatimit në shkallë të gjerë në popullatë.