Foto nga RTSH
Në konferencën ndërqeveritare mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, deklaroi se BE-ja duhet të ndërmarrë hapa urgjente për përshpejtimin e procesit të zgjerimit.
Ai vuri në dukje se besueshmëria ndaj Bashkimit Europian ka rënë së fundmi, veçanërisht sa i përket politikës së procesit të zgjerimit, citon “RTSH”.
Për këtë arsye, kryediplomati hungarez vuri në dukje se koha e pritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor ka përfunduar, ndaj, sipas tij, procesi i zgjerimit duhet përshpejtuar.
“Bashkimi Europian ka nevojë për energji të reja dhe për freski. Duke qenë fqinj të drejtpërdrejtë të Ballkanit Perëndimor, duke e njohur rajonin, e dimë që kjo freski, kjo energji e re, do të vijë absolutisht nga hapësira e Ballkanit Perëndimor. Për rrjedhojë është në interesin e mirëfilltë europian që zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet. Nga ana tjetër, ne duhet të ndërmarrim hapa urgjente për të ruajtur besueshmërinë e procesit dhe politikës së zgjerimit”,- tha Péter Szijjártó.
Ministri i Jashtëm hungarez, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, u shpreh se Shqipëria ka bërë progres dhe ndaj duhet që procesi i anëtarësimit të bëhet më i shpejtë.