Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar legjislacionin për largimin e më shumë emigrantëve pa të drejtë qëndrimi nga Bashkimi Europian.
“Politika e emigracionit të BE-së mund të jetë e qëndrueshme vetëm nëse ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE kthehen efektivisht. Megjithatë, vetëm rreth 20% e shtetasve të vendeve të treta të urdhëruar për t’u larguar janë kthyer në të vërtetë. Ligji i ri do të përcaktojë detyrimet e të kthyerve dhe do të thjeshtojë procesin e kthimit”,- shkroi Von der Leyen në një letër dërguar vendeve anëtare.
Foto nga VCG
Hartimi i propozimit do të jetë prioritet për komisionerin e ri të Emigracionit, i cili pritet të marrë detyrën në fund të vitit.
Në letrën, dërguar përpara një samiti të liderëve të BE-së në Bruksel që fillon të enjten, von der Leyen ngriti gjithashtu shqetësime për njerëzit që janë zhvendosur nga konflikti në Lindjen e Mesme, shkruan “ATSH”.
“Më shumë se 1 milion njerëz janë zhvendosur në javët e fundit, me një potencial të qartë për zhvendosje të mëtejshme ndërkombëtare”,- shkroi ajo, duke u kërkuar udhëheqësve të BE-së të punojnë në planifikimin e emergjencës.
Emigracioni ka të ngjarë të dominojë samitin e ardhshëm të BE-së, pasi Polonia njoftoi së fundi planet për të pezulluar përkohësisht të drejtën për azil.
Varshava zyrtare akuzon presidentin rus, Vladimir Putin, dhe liderin bjellorus, Alexander Lukashenko, se po nxisin emigrantët drejt kufirit polak me qëllim që të destabilizojnë BE-në dhe të minojnë sigurinë.
Presidentja e KE-së kritikoi gjithashtu në mënyrë indirekte kontrollet kufitare brenda zonës së udhëtimit pa viza të bllokut, zona Shengen, e kryer aktualisht nga Gjermania.
“Rivendosja e kontrolleve kufitare duhet të jetë një masë e fundit”,- shkroi ajo.