Hapja e negociatave, Begaj: Tani e kemi ne në dorë rrugëtimin drejt BE-së
2024-10-16 09:58:53

Foto nga RTSH

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përshëndetur hapjen e grup-kapitullit të parë të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Sipas kreut të shtetit, ky është një lajm i mirë për shqiptarët në përmbushje të aspiratës për të qenë pjesë e bllokut europian, citon “RTSH”.

Në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale, presidenti Begaj shkruan: “Lajmi që Shqipëria hap kapitullin e reformave themelore të negociatave për anëtarësim të plotë në BE mbush me shpresë çdo shqiptar në realizimin e ëndrrës së kahershme “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Tani ne kemi në dorë ritmin e këtij rrugëtimi. Jam shpresëplotë për progresin dhe suksesin”.

Më herët, në konferencën ndërqeveritare që u mbajt mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, deklaroi se BE-ja duhet të ndërmarrë hapa urgjente për përshpejtimin e procesit të zgjerimit.