
Foto nga Xinhua
Kryeministri kinez Li Qiang tha të martën gjatë bisedimeve me presidentin pakistanez Asif Ali Zardari në Islamabad se Kina do të punojë me Pakistanin për të ruajtur shkëmbimet e ngushta të nivelit të lartë dhe për të mbështetur me vendosmëri njëri-tjetrin në çështjet lidhur me interesat thelbësorë.
Kina dhe Pakistani janë fqinj të mirë, miq të mirë, partnerë të mirë e vende vëllezër të mirë me një traditë të gjatë miqësie, dhe miqësia e tyre e hekurt është bërë gjithnjë e më e fortë dhe më e përtërirë me kalimin e kohës, theksoi Li.
Kryeministri kinez u shpreh që Kina gjithmonë i ka parë marrëdhëniet e saj me Pakistanin nga një perspektivë strategjike e afatgjatë dhe i ka dhënë përparësi Pakistanit në diplomacinë e vet me vendet fqinje, duke qenë e gatshme të punojë me Pakistanin për ta ngritur miqësinë e bashkëpunimin dypalësh në nivele të reja e për të sjellë më shumë përfitime për të dy popujt.
Li shtoi se pala kineze është gjithashtu e gatshme të punojë me palën pakistaneze për të shtuar shkëmbimet lidhur me përvojën e qeverisjes, për të forcuar përshtatjen e strategjive të zhvillimit, për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e ekonomisë e të tregtisë, për të thelluar shkëmbimet njerëzore e kulturore dhe për të bërë përpjekje të mëtejshme për ta shndërruar Korridorin Ekonomik Kinë-Pakistan në një projekt të rëndësishëm të bashkëpunimit me cilësi të lartë në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë".
Nga ana e tij, Zardari tha se miqësia Pakistan-Kinë ka një histori të gjatë dhe është thellësisht e rrënjosur në zemrat e njerëzve, duke shtuar se, pavarësisht nga ndryshimet e vazhdueshme në situatën ndërkombëtare, lidhjet dypalëshe kanë pasur gjithmonë përparim të qëndrueshëm dhe janë ngritur në një nivel të ri të lartë.
Duke vënë në dukje që pala pakistaneze ndjek me vendosmëri parimin e "Një Kine", ai tha se Tajvani është një pjesë e pandashme territoriale e Kinës dhe si gjithmonë Pakistani do të ofrojë së bashku me Kinën mbështetje të ndërsjellë në çështjet lidhur me interesat thelbësorë të njëri-tjetrit.
Ai u shpreh gjithashtu se Pakistani është i gatshëm të punojë me Kinën për të ruajtur shkëmbimet e nivelit të lartë, për të nxitur ndërtimin e Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan dhe për të forcuar bashkëpunimin në tregti e investime, infrastrukturë dhe shkëmbimet njerëzore, duke sjellë më shumë përfitime për të dy popujt.
