OKB: Mbi 400.000 fëmijë të zhvendosur në Liban
2024-10-16 11:04:20

Liban femijët (Foto ATSH)

Liban femijët (Foto ATSH)

Më shumë se 400.000 fëmijë në Liban janë zhvendosur në tri javët e fundit.  OKB-ja paralajmëron për një brez të humbur në vendin që po përballet me kriza të shumta dhe aktualisht është në mes të një lufte, shkruan “ATSH”.

Izraeli ka përshkallëzuar fushatën e tij kundër grupit militant Hezbollah me qendër në Liban, duke përfshirë nisjen e një pushtimi tokësor, pas një viti shkëmbimesh zjarri gjatë luftës së tij me Hamasin në Gaza.

Luftimet në Liban kanë larguar 1.2 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre, shumica e tyre duke ikur në Bejrut dhe në veri të vendit gjatë tri javëve të fundit që nga përshkallëzimi.

“Më shumë se 2300 njerëz në Liban janë vrarë në sulmet izraelite, gati 75% e tyre gjatë muajit të fundit”,- bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë në Liban.

Në tri javët e fundit, më shumë se 100 fëmijë u vranë dhe mbi 800 u plagosën. Përshkallëzimi ka nxjerrë jashtë funksionit edhe mbi 100 objekte të kujdesit parësor shëndetësor, ndërsa 12 spitale ose nuk funksionojnë më ose janë pjesërisht funksionale.

Infrastruktura ujore është sulmuar gjithashtu. Në tri javët e fundit, 26 stacione uji që ofrojnë ujë për pothuajse 350.000 njerëz janë dëmtuar.

“UNICEF po punon me autoritetet lokale për t’i riparuar ato”,- tha Ted Chaiban, zëvendësdrejtor ekzekutiv i UNICEF-it për veprime humanitare.

Ai bëri thirrje për një armëpushim në Liban dhe në Gaza, duke thënë se duhet të ketë vullnet politik dhe një kuptim se konflikti nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake.