Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni (Foto ATSH)
Marrëveshja për emigrantët me Shqipërinë është e zbatueshme edhe me shtetet e tjera jashtë BE-së, deklaroi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Gjatë një seance në Senat, Meloni tha se Italia ka dhënë një shembull të mirë me nënshkrimin e marrëveshjes me Shqipërinë për të përpunuar kërkesat për azil në territorin shqiptar, por nën juridiksionin italian dhe atë europian, citon “ATSH”.
“Dy strukturat e parashikuara nga marrëveshja, në Shëngjin dhe Gjadër, tani janë gati dhe funksionale. Ne morëm pak kohë për t’u siguruar që gjithçka të ishte bërë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatet e kësaj pune. Kjo është një rrugë e re, e guximshme, e paprecedentë, por që pasqyron në mënyrë perfekte frymën europiane dhe që ka të gjitha kredencialet për t’u ndjekur edhe me vendet e tjera jashtë BE-së. Falënderoj kryeministrin Rama dhe qeverinë shqiptare që ka besuar, bashkë me ne, në mirësinë dhe efektivitetin e kësaj nisme”,- theksoi Meloni.