Kombet e Bashkuara bënë të ditur se paqeruajtësit e saj në Libanin jugor do të qëndrojnë në pozicionet e tyre, pavarësisht kërkesave të përsëritura të Izraelit që ata të largohen, bën të ditur “RTSH”.
Kreu i operacioneve paqeruajtëse të OKB-së, Jean-Pierre Lacroix, u tha gazetarëve në Nju Jork se vendimi për të mbajtur forcën UNIFIL kishte mbështetjen e plotë si të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, edhe të shteteve anëtare.
Foto nga VCG
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, paralajmëroi OKB-në që të largohej nga bazat e saj në Libanin jugor, duke thënë se po siguronin një mburojë njerëzore për luftëtarët e Hezbollahut.
Kreu i paqeruajtësve të saj tha se ishte thelbësore që helmetat blu të qëndrojnë në vend, për të kryer mandatin që u është dhënë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe për të ndihmuar popullatën civile.
Izraeli argumenton se OKB-ja ka dështuar të ndalojë Hezbollahun nga ndërtimi i tuneleve dhe pozicionimi i armëve në pika të caktuara.
OKB-ja ka akuzuar Izraelin se ka shënjestruar qëllimisht bazat e tij, me pesë paqeruajtës të plagosur javën e kaluar, një akuzë e refuzuar nga Netanyahu.