Roli i bashkive në procesin e legalizimit
2024-10-16 10:47:59

Legalizimet (Foto Facebook)

Legalizimet (Foto Facebook)

Qeveria ka vendosur që të bëjë palë në procesin e legalizimeve  edhe bashkitë, të cilat do të koordinojnë punën mes qytetarëve dhe Kadastrës. Në një intervistë për mediat, Drejtoresha e Agjencisë së Kadastrës Lorena Goxhobelli, tha se përfshirja e njësive të qeverisjes vendore do të ndihmojë në përshpejtimin e këtij procesi.

“Ky është shembulli më i mirë i sinergjisë institucionale. Ne jemi aktualisht duke theksuar që procesi i legalizimit është një proces tranzitor dhe si i tillë ka një afat ligjor që është viti 2028 dhe ne jemi të detyruar ta përmbyllim këtë proces brenda afatit që ligji na e ka detyruar. Roli i bashkive është i caktuar me VKM që u miratua në qershor të këtij viti. Pa diskutim që bashkitë si njohëse mjaft mira të zonave që administrojnë janë në gjendje që të paraqesin një densitet më të lartë të objekteve informale dhe janë ato që do udhëheqin, siç e ka thënë dhe kryeministri procesin e identifikimit të zonave prioritare. Janë ata që do shërbejnë dhe si urë lidhëse ndërmjet qytetarit dhe patjetër (ndërhyrje) ASHK në plotësimin e dosjes së aplikimit për një qytetar që për një arsye apo tjetër nuk kanë arritur ta finalizojnë dhe ndihma e bashkive nuk do të jetë e kufizuar “- tha Goxhobelli.

Ky bashkëpunim pritet të sjellë lehtësira.

“Procesi është detyrimi ligjor i ASHK dhe përmbyllja e këtij procesi vazhdon të mbetet detyrim ligjor i ASHK-së. Bashkëpunimi me bashkitë është në rolin e lehtësuesit në disa hallka të zinxhirit të punës deri në vendimin e marrjes së legalizimit, që vazhdon me zonat prioritare me plotësimin e dosjes së qytetarit, por dhe në krijimin e grupeve të përbashkëta që do bëjnë të mundur identifikimin e objekteve informale.  “

Do të asistohet edhe me punonjës.

“Pa diskutim, kjo është e përcaktuar në marrëveshjen që ne kemi vijuar punën me bashkitë për finalizimin e marrëveshjeve përkatëse dhe vënia në dispozicion e burimeve njerëzore është një ndër çështjet kryesore të kësaj marrëveshje dhe është ajo që do i japë hov procesit”

Numri i bashkive të angazhuara po shtohet dita -ditës.

“Ne kemi vijuar me firmosjen e bashkive për 61 bashkitë dhe numrat ndryshojnë çdo ditë. Me 40% të bashkive kemi ecur me firmosjen, jemi ende duke diskutuar detaje logjistike me bashki të tjera, të cilat ende nuk kemi arritur t’i konkludojmë. Kemi firmosur me bashkinë Himarë, Gjirokastër, Berat, Rrogozhinë dhe ndërkohë jemi duke vijuar me bashkitë e tjera detaje që kanë të bëjnë me vënien në dispozicion të burimeve njerëzore.”

Procesi i legalizimit(Foto Albanian Construction Portal)

Procesi i legalizimit(Foto Albanian Construction Portal)

Pasi kryeministri Edi Rama u tërhoqi vëmendjen kryebashkiakëve për ngecjen e procesit të legalizimit, Këshilli Bashkiak ka miratuar një marrëveshje mes Bashkisë së Tiranës  dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të përfunduar procedurat e legalizimit. Marrëveshja u miratua në mbledhjen e 8 tetorit të Këshillit Bashkiak. Kryebashkiaku Veliaj tha në mbledhjen e Këshillit tha se ky është një lajm i mirë dhe shpjegoi se bashkëpunimi përfshin ndarjen e informacioneve, identifikimin e blloqeve gjeografike dhe hartimin e planeve të punës për një proces më të strukturuar dhe efikas. Lidhur me këtë nismë nuk janë hasur kundërshtime nga bashkitë.

“Jo realisht, në komunikimet që kam patur me disa kryetarë bashkie, ku kam diskutuar për këto detaje në finalizimin e marrëveshjeve, ata kanë qenë jashtëzakonisht të gatshëm për t’i dhënë një hov këtij procesi, siç është i rëndësishëm për ne pasi kemi detyrim ligjor për ta mbyllur në kohë, dhe është i rëndësishëm për ta për shkak të detyrimit që kanë me qytetarin. Nuk kam parë asnjë hezitim për t’u bërë pjesë e procesit. “ 

Sipas Goxhobellit janë parashikuar të përballohen edhe flukset.

“Të jem e sinqertë në fakt nuk do e shikoja si një fluks të shtuar tek ASHK sepse nuk është puna e dy institucioneve që do punojnë në mënyrë të pavarur, është puna e dy institucioneve që do gërshetohen për të lehtësuar procesin, qoftë në identifikimin e zonave që kanë prioritet në trajtim, por dhe në plotësimin e dosjeve. Të gjitha këto janë procese që lehtësojnë punën e ASHK-së nuk janë procese që krijojnë fluks. “

Procesi përfshin edhe verifikimet në terren.

Drejtoresha e Agjencisë së Kadastrës Lorena Goxhobelli(Foto Dosja.al)

Drejtoresha e Agjencisë së Kadastrës Lorena Goxhobelli(Foto Dosja.al)

“Në fakt procesi që po bëjmë me bashkitë është t’i përfshijmë ata në faza të ndryshme përfshirë dhe verifikime në terren. Një nga problematikat që hasim në terren, nuk gjejmë pasi mund të kenë emigruar dhe të bëjmë matjet na duhet të jenë njerëzit prezent kur të shkojnë grupet e terrenit. Për këtë bashkia luan një rol shumë të rëndësishëm në njoftimin e qytetarëve që të jenë prezent kur të shkojnë grupet e verifikimet të objekteve. Përtej procesit të legalizimit bashkëpunojmë me bashkitë. Kemi një rast shumë të mirë me bashkinë Himarë për formalizimin apo pajisjen me tituj pronësie për objektet e ndërtuara para  vitit1991, sepse disa vite më parë është hapur dhe procesi për regjistrimin e banesave para 91”- u shpreh Goxhobelli.

Për Tv Scan Goxhobelli deklaroi se qëllimi është që procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje të përmbyllet brenda afatit ligjor që është viti 2028, i cili  do të shënjojë edhe vijën e kuqe sa i takon ndërtimeve pa leje. Lidhur me procesin e regjistrimit të tokave me ligjin 7501, drejtoresha e Kadastrës bëri me dije edhe praktikën që duhet të ndiqet nga qytetarët.