Foto nga VCG
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, në përfundimin të punimeve të samitit të Procesit të Berlinit, ofruan mbështetjen për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian.
Në një konferencë për shtyp, ata thanë se luftërat e tanishme kanë sjellë një ndërgjegjësim brenda BE-së se një union i madh është edhe më i fortë, citon “RTSH”.
Von der Leyen, pasi vlerësoi nismën e Procesit të Berlinit, theksoi se ky samit ishte rasti për të parë pas një dekade progresin me partnerët në Ballkanin Perëndimor, sepse Procesi i Berlinit ka qenë gjithmonë avokati, arkitekti dhe spiranca e një lidhjeje të fortë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Sipas saj, sot zgjerimi është në krye të agjendës së BE-së. Presidentja e Komisionit Europian u ndal edhe te Plani i Rritjes me 6 miliardë euro investime për vendet e Ballkanit Perëndimor, një mbështetje që u publikua në samitin e Tiranës.
Von der Leyen tha se 5 nga 6 agjendat e reformave do të miratohen këtë javë, mes tyre edhe për Shqipërinë.