Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó (Foto RTSH)
Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, ka kritikuar vendet anëtare të BE-së se tregohen hipokrite ndaj vendeve kandidate kur thonë se procesin e zgjerimit e pengon marrja e një vendimi unanim nga të gjithë.
Sipas kryediplomatit hungarez, heqja e kushtit të unanimitetit do ta shkatërronte BE-në, pasi do të vendosin vendet e mëdha dhe vendet e tjera të vogla pjesë e BE-së nuk do të kishin asnjë rol, citon “RTSH”.
Sipas tij, problemi me procesin e zgjerimit qëndron se disa diplomatë të shteteve anëtare një gjë thonë pas dyerve të mbyllura dhe një tjetër përpara vendeve kandidate.
“Ata që e përmendin unanimitetin si pengesë thjesht po kërkojnë justifikime për të thënë se nuk janë entuziastë për zgjerimin”,- tha Szijjártó.
Edhe eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, tha se BE-ja duhet të tregohet më e hapur në procesin e zgjerimit, duke iu treguar vendeve kandidate që i dëshiron pranë vetes.
Varhelyi tha se vendet e rajonit janë përfshirë në një metodologji të re dhe në programe për përfitimin e fondeve të BE-së deri sa ato të bëhen pjesë e familjes europiane.