Shqipëria hap negociatat me BE-në, Rama: Hap historik për ne
2024-10-16 09:56:34

Foto nga RTSH

Shqipëria mbajti të martën konferencën e dytë ndërqeveritare me Bashkimin Europian, duke hapur grup-kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi gur-themeli këtë proces dhe një hap historik për vendin, por edhe mjaft inkurajues për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Gjatë konferencës së dytë ndërqeveritare Shqipëri-BE, Rama shtoi se BE-ja e kuptoi se ajo ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, citon “RTSH”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, dhe eurokomisionerin për zgjerimin, Oliver Varhelyi, kryeministri Rama nuk ka kursyer kritikat ndaj BE-së, duke thënë se është treguar e padrejtë me Shqipërinë duke hedhur poshtë rekomandimet që vetë KE-ja i kishte bërë për hapjen e negociatave, duke e lënë prej vitesh në pritje.

Megjithatë, Rama shtoi se për Shqipërinë nuk ka alternativë tjetër veç BE-së.

Kryeministri Rama theksoi ambicien e qeverisë së tij që ta bëjë Shqipërinë pjesë të BE-së brenda vitit 2030. Ai tha se qeveria po punon me ritme të shpejta dhe ide të qarta që ky synim i vendosur të arrihet sa më shpejtë dhe në 2030-n Shqipëria të ulet si një vend i barabartë në tryezën e shteteve anëtare të BE.