Belinda Balluku (Foto RTSH)
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në lotin numër 6 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Balluku u shpreh e kënaqur me ritmet e punimeve dhe optimiste se e gjithë unaza do të përfundojë brenda këtij viti, citon “RTSH”.
“Ne kemi vendosur një afat për të gjithë unazën, e cila duhet të përfundojë brenda këtij vitit. Ndaj është shumë e rëndësishme, të kemi një koordinim mes palëve duke qenë se këtu kemi disa lote që punojnë njëkohësisht”,- u shpreh Balluku.Kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli, tha se në këtë segment kanë përfunduar 70 për qind e punimeve. Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë një rrugë urbane e kategorisë A.