Ministrja Kumbaro: 1.95 miliardë euro të ardhura nga turizmi në periudhën janar-qershor
2024-10-16 10:27:46

Të ardhurat nga turizmi (Foto ATSH)

Të ardhurat nga turizmi (Foto ATSH)

Vetëm për periudhën janar-qershor 2024, të ardhurat nga turizmi në Shqipëri arritën në 1.95 miliardë euro.

Sipas ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kjo shifër shënon një rritje me 23.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan “ATSH”.

“Turizmi në Shqipëri është motor i zhvillimit ekonomik të vendit, ku vetëm për periudhën janar-qershor 2024, të ardhurat nga kjo industri arritën në 1.95 miliardë euro”,- u shpreh Kumbaro.

4.5 milionë të huaj vizituan zonat e mbrojtura dhe pasuritë kombëtare në periudhën janar-shtator 2024, ose 18 % më shumë se në vitin 2023, duke i dhënë një tjetër impuls zinxhirit ekonomik në vend.

Ndërsa 9.7 milionë vizitorë të huaj kanë vizituar gjithsej Shqipërinë nga janari në shtator të këtij viti, duke arritur pothuaj gjithë bilancin e vitit që shkoi, që ishte edhe viti rekord në turizëm.