Foto nga VCG
Anija “Libra” e Marinës italiane është nisur drejt Shqipërisë për të sjellë grupin e parë të emigrantëve në qendrat e ngritura në Lezhe, për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara kufitare.
Mediet italiane raportojnë se në bord është kryer kontrolli fillestar i emigrantëve që do të transferohen në Gjadër dhe Shëngjin. Emigrantët i janë nënshtruar verifikimeve nëse plotësonin kërkesat e kërkuara: të ardhur nga vende të sigurta, meshkuj, jo të cenueshëm, shkruan “RTSH”.
Fillimisht do të vijë një anije me 400 persona që do të ankorohet në Portin e Shëngjinit dhe, sipas procedurave, refugjatët do të vendosen në qendrën pritëse dhe pas 48 orësh nën masa të rrepta sigurie do të transferohen me autobusë në kampin e Gjadrit, i cili prej ditës së premte është bërë gati, duke i pajisur me logjistiken dhe personelin e nevojshëm.
Foto nga VCG
Edhe pse emigrantët e parë do të mbërrijnë, në kampin e Gjadrit do të vijohet me punime, pasi ka mbetur dhe 30 për qind e volumit pa përfunduar.
Marrëveshja me Italinë për emigrantët u firmos më 6 nëntor 2023 në Romë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Marrëveshja parashikon strehimin e rreth 3 mijë emigrantëve të kapur nga Roja Bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare. Ato do të kontrollohen fillimisht në bordin e anijeve që i kanë shpëtuar, përpara se të dërgohen në Shqipëri.
Zona brenda kampit të Gjadrit do të monitorohet nga policia italiane, e cila qëndron ndërmjet ambienteve të punonjësve dhe refugjatëve. Kapaciteti aktual nuk i kalon 400 vende, por kampi do të zgjerohet në muajt në vijim.