Foto nga VCG
40 shtete kanë dënuar fuqishëm sulmet izraelite ndaj paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në Liban, njofton “RTSH”.
Në një deklaratë të përbashkët, vendet thonë se sulmet ndaj Forcave të Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) duhet të ndalojnë menjëherë dhe duhet të hetohen në mënyrë adekuate.
“Ne e konsiderojmë rolin e UNIFIL-it si veçanërisht vendimtar, duke parë përkeqësimin e situatës në rajon”,- thuhet në deklaratë.
Gjatë sulmeve, dy paqeruajtës u plagosën duke rënë nga një kullë vëzhgimi pasi tanket izraelite qëlluan drejt saj. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) pranuan se trupat e saj ishin përgjegjëse për një incident në të cilin dy ushtarë të Sri Lankës u plagosën.
Kombet e Bashkuara njoftuan se një tjetër paqeruajtës u plagos të premten nga të shtënat me armë në jug, megjithëse shtoi se nuk e dinte origjinën e sulmit.
Përtej dënimit të sulmeve izraelite ndaj paqeruajtësve të OKB-së, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka bërë thirrje shefit të OKB-së Antonio Guterres që të largojë menjëherë forcat paqeruajtëse në Libanin jugor.
“Zoti Sekretar i Përgjithshëm, largoni menjëherë forcat e UNIFIL-it nga rreziku”,- bëri të ditur Netanyahu në një deklaratë video të lëshuar nga zyra e tij.
Izraeli e ka shpallur shefin e OKB-së, Antonio Guterres, “persona non grata”.