Meteorologët amerikanë kërcënohen me jetë pas teorive konspirative
2024-10-15 13:02:47

Foto nga VCG

Meteorologët që kanë monitoruar lëvizjen e uraganit “Milton” në SHBA janë bërë objekt i shumë teorive konspirative, duke u akuzuar se po kontrollojnë motin. Disa prej tyre madje kanë marrë kërcënime me jetë.

Sipas medieve, niveli i dezinformatave ka arritur një kulm të paimagjinueshëm, veçanërisht pas dy uraganeve të mëdha që goditën Shtetet e Bashkuara, citon “RTSH”.

Drejtoresha e Agjencisë Federale për Menaxhimin e Emergjencave ka theksuar se kjo situatë ka penguar ndihmën për komunitetet e prekura.

Katie Nickolaou, një meteorologe nga Michigan, ka përjetuar pasojat e këtyre teori konspirative. Ajo ka marrë mesazhe që pretendonin se uraganet ishin të kategorisë së gjashtë dhe se meteorologët apo qeveria ishin ata që i krijonin dhe udhëhiqnin këto stuhira.

Disa madje kanë sugjeruar që shkencëtarët duhet të vriten dhe radarët të shkatërrohen.

“Ka qenë e paimagjinueshme të shohësh se sa shumë dezinformata janë grumbulluar. Ne po përpiqemi të shuajmë zjarret e informacionit të gabuar kudo. Një uragan ka energjinë e 10 mijë bombave bërthamore dhe nuk mund të presim ta kontrollojmë atë”,- tha shkencëtarja.