Mediet: Izraeli mund të godasë objektiva ushtarake dhe energjetike të Iranit
2024-10-15 17:01:53

Sulmet izraelite (Foto Rtsh)

Sulmet izraelite

Zyrtarët amerikanë besojnë se Izraeli ka përcaktuar objektivat në lidhje me sulmin ndaj Iranit, si kundërpërgjigje ndaj sulmit me 180 raketa balistike që ky vend ndërmori më 1 tetor. Lajmi u njoftua nga media amerikane, që iu referua disa zyrtarëve amerikanë që folën në kushte anonimati, shkruan “RTSH”.

Në mënyrë të vazhdueshme zyrtarët izraelitë kanë thënë se do t'i përgjigjen sulmit me raketa të Iranit të 1 tetorit, që u ndërmor si një akt hakmarrje ndaj sulmeve izraelite në Liban dhe Gaza, si dhe vrasjes së një udhëheqësi të lartë të Hezbollahut.

Të dielën, Irani bëri ditur se nuk ka vija të kuqe në veprimet që do të ndëmarrë për mbrojtjen e tij, ndërsa Lindja e Mesme po përgatitet me ankth për përgjigjen izraelite.

Irani lëshoi më shumë se 180 raketa balistike ndaj Izraelit më 1 tetor, ndërsa luftimet mes Izraelit dhe grupit Hezbollah në Liban ishin përshkallëzuar.

Shumë prej raketave u ndaluan në fluturim e sipër, por disa depërtuan sistemet e mbrojtjes raketore izraelite. Raketat shkaktuan vetëm një viktimë, një palestinez që u vra nga mbetjet e atyre që ranë në Bregun Perëndimor.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, deklaroi se Izraeli do ta godasë Iranin në një mënyrë që do të jetë vdekjeprurëse, e saktë dhe befasuese.