Borrell: Sulmet izraelite ndaj paqeruajtësve në Liban, të papranueshme
2024-10-15 11:04:01

Borrell (Foto Rtsh)

Shefi për Politikën e Jashtme i Bashkimit Europian, Josep Borrell, i cilësoi si të papranueshme sulmet izraelite ndaj paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në Libanin jugor.

“27 anëtarët e Bashkimit Europian ranë dakord që t'u kërkonin izraelitëve të ndalonin sulmin ndaj UNIFIL-it. Është krejtësisht e papranueshme të sulmosh trupat e Kombeve të Bashkuara. Shumë shtete anëtare europiane marrin pjesë në këtë mision dhe puna e tyre është shumë e rëndësishme”,- tha kryediplomati i BE-së, shkruan “RTSH”.

Të paktën pesë paqeruajtës u plagosën ditët e fundit pasi Izraeli goditi objektiva të grupit militant Hezbollah në Libanin jugor. UNIFIL-i, një mision prej rreth 9500 trupash të kombësive të ndryshme, i krijuar në vitin 1978, akuzoi ushtrinë izraelite se goditi qëllimisht ndaj bazave të saj.

Të dielën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i bëri thirrje shefit të OKB-së, Antonio Guterres, që të largojë paqeruajtësit e dislokuar në Libanin jugor, duke pretenduar se Hezbollahu po i përdorte ata si mburoja njerëzore, por UNIFIL-i ka refuzuar të largohet.

Partneriteti i ngushtë mes vendeve europiane për t’u bërë ballë sfidave të sigurisë ishte një tjetër çështje, ku Borrell vuri theksin gjatë një prononcimi për mediet.

“Në këto momente të errëta me kaq shumë sfida në mbarë botën, një kontinent i fortë, sepse ne jemi pjesë e të njëjtit kontinent, kërkon një partneritet të fortë”,- tha Borrell.