Donald Trump
Policia amerikane ndaloi 49-vjeçarin Vem Miller, nga Las Vegasi, në një pikë kontrolli pranë vendit ku ish-presidenti Donald Trump do të mbante një takim elektoral, në Coachella në Kaliforni, shkruan “RTSH”.
Ai po udhëtonte me një automjet të zi të paregjistruar dhe kishte një armë zjarri të mbushur dhe një karikator.
Pas ndalimit, 49-vjeçari u lirua me kusht, pasi pagoi një garanci prej 5 mijë dollarësh, por ndaj tij do të zhvillohet një seancë gjyqësore më 2 janar 2025. Sherifi i kontesë Riverside tha se i dyshuari kishte dokumente të shumta identifikimi me emra të ndryshëm, ndërsa shtoi se ai u ndalua përpara se Trump të arrinte në atë takim.
Zyrtarët federalë thanë se incidenti nuk ndikoi në sigurinë e kandidatit presidencial dhe as tek mbështetësit e tij në tubim. Sipas tyre, Trump-it nuk i kanosej ndonjë rrezik.
Zyra e fushatës së kandidatit republikan për president të SHBA-së bëri të ditur se pas kësaj ngjarjeje po monitorohet situata dhe po mblidhen më shumë informacione rreth të dyshuarit.
Trump është përballur me dy tentativa të mëparshme për vrasje gjatë fushatës zgjedhore të këtij viti, ndaj Shërbimi Sekret ka shtuar sigurinë. I pari ndodhi në mitingun e tij në Butler në Pensilvani dhe i dyti në shtator në fushën e tij të golfit në Florida.