Turistë në malet e Shqipërisë (Foto Scan tv)
Turizmi malor dhe investimet për rigjallërimin e tij vijojnë të mbeten një përparësi për qeverinë shqiptare. Edhe në Shqipëri, në tërësinë e tij, turizmi malor ofron një sërë aktivitetesh, si udhëtime në natyrë(hiking), ecje në mal, kamping dhe alpinizëm, gjueti dhe peshkim, ski, etj.
Deri tani, ky turizëm tek ne është zhvilluar shumë më pak nga turizmi i rërës dhe detit në verë, megjithë potencialin e madh që ka.
Përfitimet që sjell turizmi malor janë të shumta. Ai stimulon rritjen ekonomike lokale dhe krijon mundësinë e një turizmi gjithëvjetor, i cili ka aftësinë të luftojë sezonalitetin, element i cili ende e karakterizon turizmin tonë bregdetar.
Kryeministri Rama në zonën malore Theth (Foto Facebook)
Duke u bashkërenduar me aktivitete të tjera ekonomike, turizmi malor kontribuon në rritjen e prodhimit kombetar dhe krijon vende të reja pune. Një turizëm i mirëmenaxhuar në zona kodrinoro-malore, rrit të ardhurat e familjeve të zonës, duke shtuar nivelin e punësimit dhe mundësitë e jetesës. Ai bën që traditat të ngelen gjallë dhe trashëgimia natyrore, historike dhe kulturore të promovohet dhe trashëgohet brez pas brezi, ndërsa të rinjtë gjejnë motivim për të mos u larguar.
Kështu, duke investuar në zhvillimin e turizmit malor, ne mund të bëjmë të mundur që komunitetet në rajonet malore të Shqipërisë të mos vijojnë shpopullimin e madh, që fatkeqësisht prej vitesh i ka prekur.
Kryeministri Rama në zonat malore të vendit (Foto Shqiptarja.com)
Turizmi malor ndërthuret shumë mirë me ofertën e agroturizmit të Shqipërisë, madje është pjesë përbërëse e tij. Në shkurt të këtij viti, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nxori për konsultim Strategjine Kombëtare te Zhvillimit të Agroturizmit 2025-2030. Menjëherë pas miratimit të kësaj strategjie, pritet të ketë një mbështetje të drejtpërdrejtë për agroturizmin dhe turizmin malor, nga Skema Kombëtare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2025 e në vitet në vijim.
Sipas Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Agroturizmit 2025-2030, deri në vitin 2027 parashikohen të jenë 100 sipërmarrje agroturizmi të çertifikuara, ndërkohë që ndikimi i tyre në ekonominë tonë do të jetë rritur. Krahas sipërmarrjeve të çertifikuara, numri i të cilave do të katërfishohet, në krahasim me sa kemi sot, janë me qindra e qindra ferma edhe në fshatin tonë malor, që synojne aktivitetin e turizmit rural dhe malor dhe janë gati, me pak investim dhe vëmendje, që të presin vizitorë vendas dhe të huaj në mjediset e tyre, duke ofruar edhe fjetje, krahas ngrënies.
Sipas prononcimit të kryeministrit Edi Rama në takimin e tij me kryetarët e bashkive të Shqipërisë më 8 tetor 2024, turizmi malor do të vijë këtë muaj, i përforcuar me një paketë të re qeveritare të mbështetjes për investimet në këto zona, e cila do t’i hapë rrugë një zhvillimi intensiv, përmes inkurajimit dhe mbështetjes së investitorëve vendas, që kursimet e punës në emigracion, duan t’i investojnë në tokat e të parëve të tyre në zonat malore të vendit.
Kryeministri Edi Rama theksoi në takim se “Shumë shpejt, besoj gjatë këtij muaji,ne do të prezantojmë atë që e kemi quajtur “Paketa e Maleve”. Është një program komplet i ri, për të mbështetur ata që janë jashtë dhe duan ndihmë për të investuar në shtëpitë e tyre, për t’i kthyer në sipërmarrje biznesi turistik.
Kur them jashtë, ata që janë në emigracion, apo ata që janë në Tiranë dhe kanë një pasuri atje lart në mal. Është goxha domethënëse dhe është paketë që duhet ta përdorni ju, në kuptimin që duhet ta shfrytëzoni për t’i dhënë shtysë atyre që e kanë me mëdyshje.
Në Theth kemi takuar një djalë, i cili me biznesin e tij në Theth ndihmon me para motrën dhe vëllain që punojnë në Itali.
Prandaj është shumë e rëndësishme që “Paketën e Maleve” ta përdorni si instrument ju, kryetarët e bashkive, sepse ju jeni ata që keni mundësi që të keni një komunikim, që është më nxitës”.
Në bazë të praktikës botërore, xhiroja e një agroturizmi është mesatarisht rreth 142,000 euro në vit dhe e një agroturizmi në mal rreth 100 mijë euro.
Në vend kemi mbi dy mijë ferma që duan të zhvillojnë aktivitete pritëse për turistë. Një pjesë e mirë e këtyre fermave ndodhen në zonat malore.
Me bujtinat malore, punësimi në fshatrat tanë malorë ndihmohet shumë, pasi punonjësit në një sipërmarrje agroturizmi malor janë deri në 9 vetë, ndërsa mesatarja e ndërmarrjeve të vogla tek ne është 4-5 punonjës.
Nga ana tjetër, agroturizmi dhe turizmi malor si biznes bashkon, pasi madhësia mesatare e një agroturizmi si sipërfaqe toke është 10 ha, ndërkohë që kjo mesatare është 1,2 ha për fermat bujqësore tek ne. Një agroturizëm ka mesatarisht 6 dhoma për akomodim dhe 23 tavolina restoranti.
Pamje nga veriu i Shqipërisë (Foto Gazeta Tema)
Turizmi malor eshtë shumë i lidhur dhe me teknologjinë e informacionit dhe digjitalizimin e jetës në fshatin malor. Të gjithë vizitorët e huaj dhe vendas mund të njoftohen dhe të pronotojnë përmes platformave online, si dhe faqeve online të fermave tona rurale dhe malore.
Në takimin me kryetarët e bashkive, kryeministri Rama theksoi po ashtu se “Paketa e Maleve” do të ketë brenda një sërë masash, që të gjithë ata që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen dhe me bukuritë e këtyre maleve të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të kenë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme.
Fatos Çoçoli