Kryeministri Li u kërkon sipërmarrësve kinezë dhe vietnamezë të forcojnë lidhjet
2024-10-14 17:33:42

Foto nga Xinhua

Kryeministri kinez Li Qiang shprehu shpresën të dielën se sipërmarrësit kinezë dhe vietnamezë do të ndjekin në mënyrë aktive prirjet aktuale, do të shfrytëzojnë mundësitë e do të forcojnë bashkëpunimin për zhvillimin e përbashkët të biznesit dhe rritjen e përbashkët.

Li i tha këto në një simpozium në kryeqytetin e Vietnamit Hanoi, ku morën pjesë kryeministri vietnamez Pham Minh Chinh dhe përfaqësues nga të dy vendet.

Kryeministri kinez tha se marrëdhëniet kino-vietnameze kanë përparuar në mënyrë të qëndrueshme vitet e fundit, duke dhënë rezultate të frytshme falë përpjekjeve të përbashkëta. Si vende fqinje tradicionale socialiste, Kina dhe Vietnami paraqesin mundësi të rëndësishme për njëri-tjetrin dhe bashkëpunimi ekonomik e tregtar ka qenë një gur themeli i marrëdhënieve ndërmjet tyre dhe një nxitës kryesor i lidhjeve dypalëshe.

Lidhur me të ardhmen, Li theksoi potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit nëpërmjet strategjive të zhvillimit të harmonizuar, rritjes së ndërlidhjes dhe epërsive të ndërsjella ekonomike. Ai theksoi se besimi i fortë politik, afërsia gjeografike dhe miqësia e rrënjosur thellë përbëjnë themelet e bashkëpunimit dypalësh.

Përfaqësuesit nga bizneset pjesëmarrës në simpozium ranë dakord se udhëzimet strategjike nga udhëheqësit e të dy vendeve kanë fuqizuar bashkëpunimin ekonomik. Ata shprehën optimizëm për përputhshmërinë e nismës “Një brez, një rrugë” me strategjinë e Vietnamit “Dy korridore e një qark ekonomik” dhe angazhimin e tyre për të eksploruar mundësitë në financa, infrastrukturë, ekonominë digjitale dhe energjinë e gjelbër. (Çang Çuo)