OKB: Izraeli të mos sulmojë portet dhe aeroportet libaneze
2024-10-14 11:16:56

VCG

Libani nën sulmet Izraelite/VCG

Gjatë një vizite në Bejrut, një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësimin se portet dhe aeroporti i Libanit mund të dalin jashtë shërbimit duke vendosur në rrezik dërgimin e furnizimeve ushqimore teksa Izraeli vazhdon ofensivën e tij kundër Hezbollahut, shkruan rtsh.al.

“Ajo që kam parë dhe dëgjuar sot është shkatërruese, por kuptimi është se kjo mund të përkeqësohet akoma, dhe kjo duhet shmangur”, tha Carl Skau, zëvendësdrejtor ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, në një intervistë me “The Associated Press”.

Ai bëri thirrje që të bëhen “të gjitha përpjekjet e mundshme diplomatike për të gjetur një zgjidhje politike” për luftën dhe që linjat e furnizimit të mbeten të hapura.

“Ne kemi shqetësime të mëdha dhe ka shumë, por një prej tyre është me të vërtetë që ne kemi nevojë për portet dhe ne kemi nevojë për rrugët e furnizimit që të vazhdojmë të punojmë”, u shpreh më tej, Skau.

Skau tha gjithashtu se beson se autoritetet izraelite kishin premtuar që në Liban, portet dhe aeroporti nuk do të hiqen nga funksioni.

“Por sigurisht, ky është një mjedis në ndryshim. Kështu që ne nuk marrim asgjë si të mirëqenë”, shtoi ai.