Foto nga VCG
Çmimet e konsumit në Kinë patën një rritje të lehtë në shtator. Ekspertët thonë se kërkesa e tregut do të shtohet pas politikave të reja të fuqishme që synojnë stimulimin e ekonomisë.
Treguesi i Çmimeve të Konsumit (CPI), një matës kyç i inflacionit për konsumatorët, u shtua me 0.4 për qind në shtator në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar dhe mbeti i pandryshuar krahasuar me gushtin e sivjetshëm, treguan të dielën të dhënat nga Zyra Kombëtare e Statistikave (NBS). Kjo pason një rritje të lehtë në gusht, duke treguar prirjen e niveleve të moderuara të çmimeve për produktet familjare.
Çmimet e perimeve të freskëta dhe mishit të derrit u rritën për shkak të motit, ndërsa fundi i pushimeve verore çoi në një rënie të numrit të udhëtimeve, duke shkaktuar uljen e tarifave të fluturimeve ajrore dhe të çmimeve të hoteleve.
Treguesi i Çmimeve të Prodhimit (PPI), i cili mat inflacionin e shitjes me shumicë, pati një rënie 2.8 për qind muajin e kaluar krahasuar me shtatorin e vitit të mëparshëm. Kjo rënie mund të ketë ardhur për shkak të uljes së çmimeve globale të mallrave dhe ngadalësimit të kërkesës të brendshme, sipas Dong Lijuan, kryestatisticiene në NBS.
Rritja mujore e PPI-së në shtator u ul me 0.1 pikë përqindjeje krahasuar me muajin pararendës.
Dong tha se sektori i pasurive të patundshme është ende në një periudhë rregullimi, dhe kjo, së bashku me motin e keq në disa rajone, çoi në kërkesën përgjithësisht të dobët për materiale ndërtimi.
Sidoqoftë, e nxitur nga shpresat e politikave stimuluese, kërkesa për çelik pati shenja rimëkëmbjeje në gjysmën e dytë të shtatorit, shtoi ajo.
Banka qendrore kineze shpalli një varg rregullimesh të mëdha të politikës monetare në fund të shtatorit, si pjesë e përpjekjejeve më të gjera për të forcuar ekonominë.
Organi më i lartë i planifikimit ekonomik i Kinës pritet të japë paraprakisht 200 miliardë juanë (28 miliardë dollarë) nga buxheti i qeverisë për vitin 2025. Ministria e Financave bëri të ditur gjithashtu se do të shtojë masat stimuluese fiskale.