Foto nga RTSH
Tirana është gati të mirëpresë rreth katër mijë vrapues nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të marrin pjesë në edicionin e 8-të të Maratonës më 20 tetor, njofton RTSH. Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me organizatorët dhe vullnetarët e ngjarjes më të madhe sportive të vitit.
Ai u shpreh se Maratona e Tiranës është një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar qytetin.
“Çdo qytet, edhe Nju-Jorku, Tokio, Londra, Berlini, çdo vend që ju keni parë, maratonën e respekton si një mundësi e jashtëzakonshme për sportin. Nëse një turisti i duhen 10 ditë për të parë çdo gjë në Tiranë, ata të maratonës praktikisht për 1-2 orë do shohin gjithë pikat kryesore të Tiranës dhe do marrin shijen e qytetit tonë”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku dha disa detaje për çmimet që do jepen këtë vit, ndërsa shtoi se garës së Maratonës së Tiranës do t’i paraprijë, si çdo vit, gara “Fun Run”, ku pjesëmarrës janë të rinjtë e qytetit.
Gara “Fun Run” bëhet kryesisht për të motivuar të rinjtë që të merren me sport. Ajo bëhet ditën e shtunë, kurse maratona profesioniste të dielën.
“Rreth një mijë prej atletëve që garojnë janë profesionistë dhe vijnë për të fituar çmimet, të cilët këtë vit janë 5000, 3000 dhe 2000 euro”, tha Veliaj.
Maratona e Tiranës është një manifestim për një jetesë të shëndetshme, por edhe një mundësi për t’u marrë me sport.