Qendrat në Gjadër dhe Shëngjin Rama (Foto ATSH)
Ndërsa këtë javë në dy qendrat e emigrantëve të ngritura në Shëngjin dhe në Gjadër të Lezhës, pritet që autoritetet italiane të sjellin emigrantët e parë, kryeministri shqiptar Edi Rama, ka dhënë garanci se asnjë emigrant s’do të mund të largohet prej tyre .
Në një intervistë për median italiane “La Repubblica” kryeministri Edi Rama shprehet se “ndërtimi dhe menaxhimi i qendrave është diçka që nuk ka absolutisht asnjë lidhje me qeverinë shqiptare”.
Kreu i qeverisë shqiptare thekson se ajo që ndodh brenda në kamp “nuk na shqetëson, pasi është përgjegjësi e palës italiane”.
Kryeministri Rama nënvizoi se në bazë të marrëveshjes parashikohet që nuk mund të largohen nga kampi dhe të udhëtojnë lirshëm në Shqipëri. E nëse kjo do të ndodhte “një plan veprimi i miratuar do të vihet në lëvizje” ka thënë zoti Rama.
Sipas një marrëveshjeje pesëvjeçare të nënshkruar nëntorin e kaluar nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologu i saj shqiptar, Edi Rama, deri në 3,000 emigrantë të kapur nga roja bregdetare italiane në ujërat ndërkombëtare çdo muaj do të strehohen në Shqipëri.