Foto nga VCG
Kryeministri polak Donald Tusk bëri të shtunën me dije se planifikon të pezullojë pjesërisht të drejtën për azil për migrantët e jashtëligjshëm, njofton RTSH. Ai akuzoi trafikantët e qenieve njerëzore dhe vende si Rusia dhe Bjellorusia për abuzim të sistemit.
"Shteti duhet të rimarrë 100 përqind nën kotroll se kush hyn dhe largohet nga Polonia. Në mbledhjen e qeverisë që do të mbahet të martën do të miratojmë pezullimin territorial të së drejtës për azil. Do të reduktojmë në minimum migracionin e jashtëligjshëm", u shpreh Tusk, por pa dhënë detaje të mëtejshme.
Që nga viti 2021, Polonia është përballur me presione migratore në kufrin e saj me Bjellorusinë. Qeveritë e mëparshme polake kanë akuzuar Minskun, por edhe Rusinë se në mënyrë të qëllimshme tërhiqnin migrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika në atë kufi në mënyrë që të destabilizonin perëndimin.
" E dimë shumë mirë se si presidenti Bjellorus dhe ai rus, si dhe trafikantët e qenieve njerëzore përdorin sistemin tonë të azilit. Mënyra se si përdoret e drejta për azil është plotësisht në kundërshtim me thelbin e kësaj të drejte" u shpreh Tusk, që dikur ka qenë president i Këshillit Europian.
Ai theksoi se do ti kërkonte BE të pranonte propozimin e tij.
"Nuk do të respektojmë apo zbatojmë ndonjë ide europiane që pengon sigurinë tonë", vijoi mëtej Tusk, duke iu referuar paktit europian për migracionin.
Të mërkurën e kaluar, Polonia, por edhe Republika çeke bënë thirrje që BE të ndërmerrte një përqasje më të ashpër ndaj migracionit të jashtligjshëm se sa ajo që parashikohet në paktin e ri të bllokut për migracionin dhe azilin i cili pritet të hyjë në fuqi në 2026-ën.