Rudina Muharremi Beja: Të shkruash është njësoj si të udhëtosh
2024-10-14 10:49:56

Rudina Muharremi Beja ka lindur në Ishëm të Durësit. Pas përfundimit të studimeve punoi si mësuese, ndërsa më vonë do të emigronte familjarisht në Itali. Pasioni për letërsinë ka qenë i herëshëm dhe fillimisht do niste me publikimet në periodikët letrarë të qytetit të lindjes. Botimi i librit të parë në formën e jetëshkrimit do krijonte dhe urën e parë të lidhjes së saj përmes formës së rrëfimit, e cila do relativonte artin dhe mjedisin e saj jetësor. Mbështetja tek poezia përbën dhe pikën kulminante të Rudinës, e cila herë përmes vargjeve të lira e herë atij të rregullt, formësoi plotësisht autoritetin e saj krijues. Rudina ka botuar 13 libra në gjininë e poezisë dhe prozës, libra të cilët janë pritur mirë nga kritika letrare dhe lexuesit. Në një intervistë për Radio Ejani Rudina Muharremi Beja tregon për jetën e saj letrare, largimin nga Shqipëria dhe integrimin me jetën në Itali.  

CMG: Përshëndetje Rudina dhe faleminderit për këtë intervistë në Radio Ejani.

Rudina Muharremi Beja: Faleminderit për ftesën.

CMG: Kur je larguar nga Shqipëria dhe si u integrove me jetën në emigrim?

Rudina Muharremi Beja: Unë jam larguar nga Shqipëria ime e dashur rreth viteve 2000. Megjithatë kur u largova mendoja si çdo emigrant me shpresën e madhe për tu rikthyer sërisht nje ditë. Në fakt në poezinë time “Dallëndyshja”, botuar në njërin prej vëllimeve poetike e kam shprehur mallin për vendlindjen. Përsa i përket integrimit në emigracion, fillimi është gjithmonë i vështirë. E vërteta e madhe është se ne kishim dhe një lloj dëshire për të njohur realitetin e vendit fqinj, por në rastin tim kjo ishte shumë më e thjeshtë, sepse erdha këtu për tu bashkuar me bashkëshortin, që kishte mbrritur në Itali disa vite më parë. Kështu që së bashku do të nisnim një udhë të re, sfidë krejt të panjohur. Do të nisnim një ëndërr tjetër, të preknim një realitet të ri sa të bukur, por aq dhe të vështirë e të paparashikuar. Në emigrim njihet ftohtësia e njerëzve, puna me orë të tejzgjatura, disiplina dhe përpjekjet e vazhdueshme për tu integruar sa më shpejt. Menjëherë kuptova se pa atdhe do të mbetesha përherë si zogu pa krahë, ku këtë gjë e kam shprehur dhe në poezinë time të titulluar “I huaji”.

CMG:  Kur ke nisur të merresh me krijimtari letrare dhe sidomos në gjininë e poezisë e prozës?

Rudina Muharremi Beja: Besoj se si shumica e këtyre poetëve të rinj, kam filluar dhe unë në fillimet e mia të hershme në gjimnaz. Biblioteka ishte vendi im i preferuar. Besoj se diçka ka gërvishtur koren e zemrës sime për të filluar të shkruaj, por gjithnjë në bankat e gjimnazit. Fjala u bë bashkëudhëtare e vuajtjes, dhimbjes, por dhe mënyra për të shprehur dhe përcjellë emocionet e brendshme.

CMG: Sa libra ke botuar deri tani dhe si janë pritur nga kritika letrare e lexuesit?

Rudina Muharremi Beja: Kam botuar 13 libra, nga të cilët janë 10 vëllime me poezi, dy vëllime me prozë dhe një vëllim dy gjuhësh shqip-italisht. Jam vlerësuar me disa çmime dhe e përfshirë në disa antologji, gazeata e revista letrare. Mendoj se numri i botimeve nuk është gjithmonë sinonim i një letërsie të mirë, ndërsa rritja e cilësisë nga libri në libër po. Të shkruarit është një kënaqësi, ku zakonisht kombinohet një lexim të një letërsie të mirë.

CMG: Çfarë temash ke trajtuar më tepër në librat tuaj me poezi dhe prozë?

Rudina Muharremi Beja: Jeta në emigrim është tema e poezive dhe skicave poetike të mia. Poezia është diçka e paarritshme, ku gjithçka shpresojmë se do të realizohet me kalimin e kohës. Poeti kur flet nuk flet vetëm për veten e tij, por flet për të gjithë të tjerët. Duhet ta respektojmë maksimalisht letërsinë e mençuar, konçize dhe të larmishme. Kam shkruar rreth 1000 poezi, ku jam përpjekur shumë që të mos jem asnjëherë përsëritëse në atë që bëj. Jam përpjekur ta bëj dhe të padukshmen të dukshme, siç ndodh me poezinë time “Guri”, ku ndjeshmëria e poetit vjen në dukje, ku edhe guri mund të flasë me forcën e fjalës së poetit.

CMG: Si e përjeton momentin kur shkruan poezi?

Rudina Muharremi Beja: Të shkruash është njësoj si të udhëtosh pa peshën e bagazheve, të udhëtosh me krahë të lira. Çdo artist për të shprehur botën e tij shpirtërore dhe për të treguar talentin e tij përpara artdashësve, ka në dispozicion një instrument, apo siç ka piktori penelin dhe skulptori daltën. Kurse poeti ka fjalën, por nga ana tjetër ka në dorë diçka të shenjtë, sepse e para ishte fjala dhe ne duhet ta përdorim atë me mjeshtëri, natyrisht pa e shpërdoruar kurrë. Unë kam shkruar një poezi të titulluar “Atje”, një poezi që sjellë fuqinë e fjalës.

CMG: Ke ndonjë poet apo shkrimtar të preferuar?

Rudina Muharremi Beja: Pothuajse të gjithë, sepse të shumtë janë shkrimtarët që shkruajnë shumë bukur dhe njihen nga të gjithë, por të them të vërtetën ka edhe shkrimtarë që shkruajnë po aq bukur dhe duhet të vëzhgohen nga një kritikë më kompetente. Librat mbeten gjithnjë të bukur, pasi mbartin shpirtin e atyre që i kanë shkruar. Tejtër gjë pastaj është raporti me botuesin, me lexuesin, kritikën dhe shpërndarjen tek lexuesi i thejshtë. Unë personalisht jam e mendimit se botimet e shumta janë bërë tashmë një biznes për shtëpitë botuese. Mendoj se librat duhet të jenë cilësorë dhe të superojnë provën e egër të kohës.

CMG: Ke promovuar ndonjë nga librat tuaj në Shqipëri?

Rudina Muharremi Beja: Kam qenë e ftuar disa herë nga shumë miq të nderuar dhe institucione të ndryshme, por nuk kam patur mundëisnë të shkoj. Ajo që më ka penguar më tepër është modestia. Poezitë e mia janë interpretuar edhe pa prezencën time në radio apo promovime të poezisë bashkëkohore, nëpër antologji, ku dua të falenderoj me gjithë zemër ata që më kanë përzgjedhur dhe vlerësuar. Mendoj se shkrimtarët dhe poetët e vërtetë janë të tjerët, dhe unë për të mbërritur deri tek ata kam ende rrugë të gjatë. Çdo gjë në kohën e vet.

CMG: Çfarë të mungon më shumë nga vendlindja tani që je larg saj?

Rudina Muharremi Beja: Tashmë unë ndjehem tërësisht e realizuar, por gjithnjë mallëngjehem kur zbres në mendje kujtimin e prindërve, të afërmve, të tokës time të begatë. Unë i kam kushtuar dhe një poezi atdheut tim të titulluar “Vendlindja”.

CMG: Ke në planet tuaja ndonjë botim tjetër?

Rudina Muharremi Beja: Mendoj se surprizat janë të bukura dhe të këndshme, sepse janë dhe duhet të mbeten surpriza. Aktualisht po punoj diçka në prozë rë gjatë, ku më duhet të pres zhvillimin e ngjarjeve me kërshërim dhe me naivitetin e një fëmije, me ndjeshmërinë e një poeti dhe këmbënguljen e një shkrimtari të vërtetë, sepse të shkruash nuk është lojë, është një përgjegjësi vërtetë e madhe.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe sukesese.

Rudina Muharremi Beja: Unë ju falenderoj, dhe me modestinë më të madhe falenderoj të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani. Suksese në vazhdimësi.

Intervistoi: Gazmend Agaj