Gloria Azizi: Momenti më i lumtur i jetës kur luajta me orkestrën e TKOB
2024-10-13 11:23:57

Gloria në orkestër

Gloria në orkestër

Violinistja e talentuar Gloria Azizi ka lindur në Vlorë në  vitin 2001 dhe studimet e para për violinë i ka nisur në moshën 6 vjeçare në shkollën e muzikës “Naim Frashëri” në Vlorë, me mësuesen Anisa Bardhoshi. Më vonë ajo ka patur eksperienca me Orkestrën e Vlorës, Filarmoninë e Tiranës, me Orkestrën e Teatrit të Operas dhe Baletit, por edhe me orkestra private. Ajo është  diplomuar së fundi në Universitetin e Artve për Violinë, në klasën e pedagogut Fatos Bardulla dhe  do të fillojë studimet në Konservatorin e muzikës në Romë. Gloria ka bërë Masterclass me violinistë shqiptarë tashmë me famë në botë si, Rudens Turku, Sihana Badivuku, Jonian Kadesha, etj.

CMG: Prej sa vitesh interpreton në violinë?

Gloria Azizi: U bënë 17 vite që luaj violinë, e kam nisur shumë e vogël.

CMG: Prej dy vitesh punon si muzikante e jashtme, pranë Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku shfaqja e fundit ka qenë “Madame Batterfly”.

Gloria Azizi: Kanë qenë ndër eksperiencat më të bukura. Ka qenë momenti më i lumtur i jetës time, pasi e kisha ëndërr të luaja aty. Kam patur shumë koncerte ku kam marrë pjesë. Tek “Madame Batterfly”, ishte një publik i jashtëzakonshëm ku salla ka qenë plot. Por më e bukura ka qenë opera “Carmen”, shumë e dashur për mua dhe isha mjaft e lumtur që luajta aty, pasi nuk e ndjen fare lodhjen kur e ke edhe pjesë të preferuar.

Gloria  Azizi

Gloria  Azizi

CMG: Cila është pjesa jote e preferuar që luan me dëshirë në violinë?

Gloria Azizi: Pjesa ime e preferuar është nga Sibelius “Koncerti për violinë”, një pjesë shumë e ndjeshme, shumë dramatike, prandaj dhe më pëlqen shumë.

CMG: Ti ke luajtur gjithashtu me orkestrën për koncertin e mbajtur në Pallatin e Kongreseve, nga artisti i mirënjohur grek Kostantinos Argiros. Si ishin emocionet aty?

Gloria Azizi: Mua këtë ftesë ma bëri profesori im në Universitetin e  Arteve, i cili më ftoi të luaja në këtë koncert, por deri ditën e provave nuk e dija se bëhej fjalë për këtë këngëtar kaq të famshëm ndërkombëtar. E pranova ftesën dhe e mora me sportivitet si çdo projekt tjetër. Kur më tha një miku im që bëhej fjalë për këngëtarin që këndon këngën e njohur “Athina mou” e kuptova se bëhej fjalë për një artist shumë të madh. Ditën e koncertit kur e pashë sallën e mbushur plot, ku të gjithë këndonin në kor këngët e Kostantinos Argiros, publiku më emocionoi shumë.

CMG: Kur ke nisur të interpretosh me orkestra të mëdha?

Gloria Azizi: Violinën e kam nisur që e vogël, por në mënyrë profesionale  kam filluar që të luaj me orkestrën profesioniste të qytetit tim të lindjes, Vlorës kur kam qenë 16 vjeç. Për mua në atë kohë ka qenë një gjë shumë e madhe që po më ndodhte, pasi kam luajtur me profesionistë.

CMG: Ti do të studiosh për Master në Romë. Përse pikërisht aty?

Gloria  Azizi

Gloria  Azizi

Gloria Azizi: Roma është një nga qytetet e mia të preferuara. Familja ime jeton aty dhe mendova që këtë periudhë kohe të zhvilloj shkollën dhe të qëndrojë pranë familjes. Zhvillova konkursin mes 32 konkurrentëve nga vende të ndryshme, ku u zgjodha e dyta.

CMG: Cilat janë planet e tua të ardhshme?

Gloria Azizi: Kam koncert me orkestrën e Vlorës në Elbasan, por edhe shumë  koncerte të tjera në Tiranë .

CMG: Pas studimeve do kthehesh sërish në Shqipëri?

Gloria Azizi: Patjetër që po. Pas studimeve, nëse unë e kam një punë të sigurt në vendin tim edhe nëse do mund të zgjidhja mes Italisë dhe Shqipërisë, do preferoja vendin tim. Askush nuk të vlerëson më shumë se vendi yt.

CMG: Ke një violinist të preferuar që do të doje një bashkëpunim me të?

Gloria Azizi: Violiniste të preferuar kam Hilary Hahn. Më pëlqen shumë loja e saj, është shumë emocionale. Do ishte fantastike një bashkëpunim me të, por më duket e pamundur, por të ndiqja një Master Class nga ajo do ishte fantastike.

Gloria  Azizi

Gloria  Azizi

CMG: Kur gjërat i do fort, ato do të realizohen një ditë. Suksese!

Gloria Azizi: Shpresoj shumë. Faleminderit!

Intervistoi: Sava Lena