Emigrantët (Foto ATSh)
Roja Bregdetare greke dhe anije në lundrim e sipër kapën gjithsej 288 emigrantë në detin Mesdhe në 72 orë dhe i dërguan në vende të sigurta.
90 prej tyre ishin nisur nga Libia dhe arritën në ujërat e Kretës dhe gadishullit të Peloponezit.
Rojat Bregdetare raportoi se 198 emigrantë ishin nisur nga brigjet turke të Egjeut në ishujt grekë të Rodosit, Lerosit dhe Tilosit, shkruan “ATSH”.
Sipas Ministrisë së Emigracionit, Greqia po planifikon të ndërtojë një qendër të re pritjeje në Kretë.
“Emigrantët po mbërrijnë pothuajse çdo ditë në rrugën e re Libi-Kretë të përdorur nga trafikantët dhe duhet të akomodohen përpara se të dërgohen në kontinent”,- bënë të ditur autoritetet greke.
Deri tani, ka vetëm kampe regjistrimi në ishujt Kos, Leros, Samos, Kios dhe Lesbos.
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), më shumë se 36.500 emigrantë mbërritën në Greqi nga deti dhe rreth 5500 nga toka nga fillimi i vitit deri më 6 tetor. Por, sipas Policisë, numri i rasteve të paraportuara ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë.
Ministri grek i Emigracionit, Nikos Panagiotopoulos, deklaroi në një prononcim mediatik se shumica e këtyre njerëzve po udhëtonin për në Gjermani dhe vende të tjera të Europës Perëndimore.