Ditët e fundit përfunduan në Vientiane të Laosit samiti i 44-t dhe samiti i 45-të të ASEAN-it. Në takimin e liderëve Kinë-ASEAN të mbajtur gjatë samitit, të dyja palët njoftuan së bashku se negociatat për përmirësimin e versionit 3.0 të Zonës së Tregtisë së Lirë Kinë-ASEAN përfunduan. Kjo është një masë e rëndësishme për të përmirësuar integrimin ekonomik të Azisë Lindore, duke treguar vendosmërinë e të dyja palëve për të mbështetur fuqishëm multilateralizmin dhe tregtinë e lirë.
Hapen Samitet e 44-të dhe të 45-të ASEAN-it, 9 tetor 2024, Laos/VCG
Bashkëpunimi midis ASEAN-it dhe Kinës është forcë kyçe për rritjen ekonomike në të gjithë rajonin e Azi-Paqësorit. Kina ka qenë partnerja më e madhe tregtare e ASEAN-it për 15 vjet me radhë dhe për katër vjet rresht ASEAN-i është partneri më i madh tregtar i Kinës. Në tetë muajt e parë të këtij viti, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë dypalëshe u rrit 10 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Produktet e Azisë Juglindore mirëpriten gjerësisht në tregun kinez, duke sjellë përfitime reale për banorët vendorë.
Në botën e tanishme, disa vende po nxisin shkëputjen, prishjen e lidhjeve dhe konfrontimin midis kampeve dhe po ngrihen zërat pro proteksionizmit. Në këtë sfond, pse bashkëpunimi Kinë-ASEAN po përforcohet më tej? Sipas një komenti të Grupit Mediatik të Kinës (CMG), përgjigjja është se të gjitha vendet kanë dëshirë për zhvillim dhe banorët e tyre synojnë një jetë të mirë. Kina dhe vendet e ASEAN-it, si fqinj, janë shumë përplotësues nga ana ekonomike dhe është e natyrshme që të ndërtojnë zinxhirë industrialë dhe furnizimi nëpërmjet bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë.
Një arritje e madhe e takimit të liderëve Kinë-ASEAN është se Kina dhe liderët e dhjetë vendeve anëtare të ASEAN-it njoftuan përfundimin thelbësor të negociatave për versionin 3.0 të Zonës së Tregtisë së Lirë dhe marrëveshja përkatëse pritet të nënshkruhet në vitin 2025. Ky version i përmirësuar mbulon 9 fusha, duke përfshirë jo vetëm ato në marrëveshjen ekzistuese, por edhe fusha të reja, si ekonomia digjitale, ekonomia e gjelbër, ndërlidhja e zinxhirëve të furnizimit, procedurat doganore e lehtësimi i tregtisë, si edhe bashkëpunimi në teknologjinë ekonomike. “Kjo arritje e rëndësishme siguron një garanci institucionale që të dyja palët të ndërtojnë së bashku një treg në përmasë të madhe, duke sjellë një vrull zhvillimi më të fortë dhe afatgjatë”, shkruhet në koment.
Hapet Samiti Kinë-ASEAN, 10 tetor 2024, Laos/Xinhua
Panairi i 21-të Kinë-ASEAN, 27 shtator 2024, qytet Nanning, Rajon Autonom Guangxi-Zhuang, Kinë Jugore/Xinhua
Analistët vunë në dukje se numri i përgjithshëm i popullsisë së Kinës dhe ASEAN-it i kalon 2 miliardët, duke përbërë 1/4 e popullsisë së botës. Nëse këto dy tregje super të mëdha bashkohen, niveli i integrimit ekonomik rajonal do të jetë më i lartë dhe baza e rritjes ekonomisë globale do të jetë më e qëndrueshme.
Mirëpo, para dhe pas këtij samiti, ka pasur edhe ndërhyrje e zhurma. Për shembull, disa politikanë japonezë propozuan të ashtuquajturin "version aziatik të NATO-s". Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Filipinet e përdorën çështjen e Detit të Kinës Jugore për të provokuar konflikte dhe konfrontime. Kjo bie ndesh me pritjet e ASEAN-it për ruajtjen e zhvillimit paqësor në rajon dhe është kritikuar dhe kundërshtuar gjerësisht. Ministri i Jashtëm i Malajzisë Mohamed Hassan e bëri të qartë se "ASEAN-i nuk ka nevojë të jetë NATO". Thongloun Sisoulith, presidenti i Laosit, vendi organizator i samitit, theksoi se ASEAN-i duhet të vazhdojë t'u përmbahet qëllimeve të përbashkëta për paqe, qëndrueshmëri e zhvillim dhe të mbështesë multilateralizmin e barabartë me përfitime të ndërsjella. Për sa i përket çështjes së Detit të Kinës Jugore, vendet e ASEAN-it janë vigjilente ndaj forcave të jashtme që provokojnë konfrontim rajonal dhe nuk dëshirojnë të zgjedhin anë, sepse ato nuk duan që çështja e Detit të Kinës Jugore të ndikojë ose të minojë bashkëpunimin rajonal.