Kina do të promovojë bashkëpunimin e nivelit të lartë me Vietnamin
2024-10-13 12:41:54

Foto nga Xinhua

Kryeministri kinez Li Qiang(i djathti) takohet me presidentin vietnamez To Lam(i majti)/Xinhua

Kryeministri kinez Li Qiang tha të shtunën se Kina është e gatshme të promovojë bashkëpunimin me cilësi e nivel të lartë në fusha të ndryshme me Vietnamin. Ai i bëri këto komente gjatë takimit me To Lam, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit dhe presidenti vietnamez.

Li tha se Kina është e gatshme të forcojë përpjekjet për të arritur gjashtë objektiva, si besimi më i madh i ndërsjellë politik, bashkëpunimi më i ngushtë në fushën e sigurisë, bashkëpunimi më i thellë praktik, baza më e fortë popullore, koordinimi e bashkëpunimi më i ngushtë shumëpalësh dhe menaxhimi më i mirë i mosmarrëveshjeve.

Ai shprehu shpresën se të dy palët do të promovojnë si "ndërlidhjen e fortë” të infrastrukturës hekurudhore, rrugore e portuale, ashtu edhe "ndërlidhjen e butë" të doganave inteligjente, për të ofruar mbështetje të shëndetshme për përmirësimin e lehtësimit të tregtisë e investimeve reciproke dhe për ruajtjen e qëndrueshmërisë dhe funksionimit të lirshëm të zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit.

Kreu i qeverisë kineze tha se Kina është e gatshme të punojë me Vietnamin për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha si teknologjia e informacionit, energjitë e reja, ekonomia digjitale, mineralet e rëndësishme dhe thellimi i shkëmbimeve kulturore. “Kina është e gatshme të zhvillojë bashkëpunim mbi bazën e tre nismave globale dhe të promovojë bashkërisht ndërtimin e një bote shumëpolare të barabartë e të rregullt, si edhe globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës në dobi të të gjitha vendeve, duke nxitur lulëzimin dhe duke mbrojtur paqen në Azi,” shtoi kryeministri kinez.

Nga ana e tij, To Lam tha se partia që ai drejton dhe qeveria vietnameze u kanë kushtuar gjithmonë një rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën. Pala vietnameze do të ndjekë me vendosmëri rrugën e përcaktuar së bashku nga liderët më të lartë të dy partive dhe të dy vendeve, duke iu përmbajtur gjashtë objektivave, për të thelluar partneritetin gjithëpërfshirës strategjik Vietnam-Kinë dhe për të promovuar ndërtimin e një komuniteti me një e ardhme të përbashkët me domethënie strategjike Vietnam-Kinë.

Lam theksoi më pas se Vietnami i përmbahet me vendosmëri parimit të “një Kine” dhe kundërshton i palëkundur të gjitha format e aktiviteteve separatiste pro "pavarësisë së Tajvanit". Ai shtoi se Vietnami është i gatshëm të marrë 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve vitin e ardhshëm si një mundësi për të ruajtur shkëmbimet e rregullta të nivelit të lartë, për të forcuar shkëmbimet ndërmjet partive, organeve ligjvënëse e organizatave popullore, dhe të thellojë bashkëpunimin praktik në tregti, investime, financa, bujqësi dhe pushtetin vendor.

Sipas tij, Vietnami mbështet nismën “Një brez, një rrugë” dhe tre nismat globale të paraqitura nga Kina. “Vietnami është i gatshëm të forcojë komunikimin dhe koordinimin me Kinën brenda kornizave shumëpalëshe për të dhënë kontribut më të madh në promovimin e paqes dhe lulëzimit rajonal dhe botëror,” shtoi kreu i shtetit i Vietnamit.