OKB: Mbi 100 mjekë dhe punonjës të emergjencës janë vrarë në konfliktin në Liban
2024-10-13 15:35:17

Foto nga VCG

Bejrut pas sulmit të Izraelit, 12 tetor 2024, Liban/VCG

Mbi 100 punonjës mjekësorë dhe të emergjencës janë vrarë në të gjithë Libanin që nga nisja e konfliktit mes Hezbollahut dhe Izraelit një vit më parë, deklaroi zëdhënësja Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani, shkruan “Panorama”.

Në një konferencë të OKB-së, ajo theksoi se shifrat ishin përpiluar nga zyra humanitare e Kombeve të Bashkuara.

“Kemi pasur dhjetëra raportime për sulme ajrore të qendrave mjekësore të mjekëve të ndihmës së parë, si dhe për zjarrfikës të vrarë”,- tha ajo.

Konflikti nisi kur Hezbollahu ka kryer sulme në mbështetje të grupit militant palestinez, Hamas, në fillim të luftës në Gaza. Situata është intensifikuar shpejt gjatë javëve të fundit, me Izraelin që po bombardon pjesë të Bejrutit.