Ministri Hasani (Foto Top Channel)
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi se Konferenca e dytë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, që do të mbahet më 15 tetor në Luksemburg, është një moment historik për shqiptarët.
Në një prononcim për mediet, ministri Hasani tha se Shqipëria i ka bërë detyrat dhe tashmë pret hapjen e kapitujve, shkruan “ATSH”.
Ai theksoi se në këtë takim Shqipëria shkon e mirorganizuar, e qartë në atë që kërkon dhe e bindur që do të përfaqësojë vlerat më të mira të vetat.
“Qeveria ka plotësuar pjesën më të madhe të detyrimeve të veta. Është përpjekja e të gjithë shoqërisë shqiptare që ne të vazhdojmë punën që kemi arritur deri më sot. Kjo datë duhet konsideruar si një moment historik për të gjithë shqiptarët dhe jo të ndonjë grupi apo individi të përfshirë në të. Ky është momenti më i rëndësishëm i marrëdhënies së Shqipërisë me BE-në, me familjen në të cilën ne bëjmë pjesë”,- deklaroi kryediplomati shqiptar.