Kryeministri libanez kërkon nga OKB miratimin e rezolutës për armëpushim Izrael-Hezbollah
2024-10-13 14:41:48

Foto nga VCG

Kryeministri libanez, Najib Mikati/VCG

Kryeministri libanez, Najib Mikati, i kërkoi Kombeve të Bashkuara të miratojnë një rezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm midis Izraelit dhe Hezbollahut, duke e cilësuar situatën aktuale të papranueshme, shkruan “ATSH”.

“Ne i kërkuam Ministrisë së Jashtme të paraqesë një kërkesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke i kërkuar të marrë një vendim për një armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm me zbatimin e Rezolutës 1701”,- deklaroi Mikati pas një mbledhjeje të kabinetit qeveritar.

Ai theksoi se po diskutohet një zgjidhje diplomatike dhe se Hezbollahu pranon të zbatojë rezolutën, e cila ndalon praninë e milicisë libaneze të Hezbollahut në zonën kufitare me Izraelin. Ndërsa, Ushtria izraelite duhet të tërhiqet pas Vijës Blu, kufiri libanezo-izraelit.

Rezoluta i jep autoritetin e vetëm ushtrisë libaneze dhe trupave të Forcave të Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Libanin Jugor (UNIFIL), në jug të lumit Litani.

Ai theksoi se një armëpushim është i nevojshëm dhe ushtria libaneze duhet të provojë rolin e saj në rritjen e sigurisë në kufirin jugor.

Kryeministri libanez dënoi dhe bombardimin e dyshuar nga Izraeli të një baze që i përket UNIFIL-it.

“Dy paqeruajtës u plagosën në bombardimet izraelite pranë një posti vëzhgimi në selinë e UNIFIL-it në Naquora në Libanin jugor”,- sipas agjencisë libaneze të lajmeve “NNA”.