Samiti i Gruas/ATSh
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, gjatë fjalës së mbajtur në Samitin e Gruas Shqiptare të Diasporës, e vuri theksin te rëndësia e pjesëmarrjes së grave të diasporës në procesin e ardhshëm zgjedhor, duke e cilësuar votën e tyre si një moment historik për demokracinë shqiptare, shkruan “ATSH”.
“Një lajm i mirë është që në zgjedhjet e pranverës së ardhshme, vota e anëtarëve të diasporës do të garantohet nga vendi i tyre pritës, duke bërë të mundur një të drejtë kushtetuese, por dhe një kërkesë të vazhdueshme nga diaspora shqiptare. Vota e diasporës është një moment historik dhe një borxh që u kthehet shqiptarëve që jetojnë jashtë”,- tha ministri Hasani.
Po ashtu, kryediplomati shqiptar theksoi se tërheqja e anëtarëve të kualifikuar të diasporës është një nga sfidat më të rëndësishme për Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe strukturat e saj.
Samiti V i Gruas së Diasporës, organizuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Dhoma e Biznesit të Diasporës, mblodhi për të pestin vit radhazi në Tiranë përfaqësuese të diasporës nga mbarë bota.
Samiti u mbajt nën moton “Leading the Way to the European Union”, duke theksuar rolin udhëheqës të grave shqiptare në përparimin drejt integrimit në Bashkimin Europian.