Rama në Budapest, Orban: Shqipëria vend i rëndësishëm për Hungarinë
2024-10-12 17:19:44

Kryeministri Rama në Budapest (Foto ATSh)

Kryeministri Rama në Budapest (Foto ATSh)

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, zhvilloi një vizitë zyrtare në Budapest, ku u takua me homologun hungarez, Viktor Orban.

Në një konferencë të përbashkët shtypi, Orban e cilësoi Shqipërinë një vend miqësor dhe shumë të rëndësishëm për Hungarinë, shkruan “ATSH”.

“Shqipëria është vërtet një vend, jo vetëm miqësor, por edhe shumë i rëndësishëm për ne, sepse luan një rol shumë të rëndësishëm në sektorë të ndryshëm”,- tha Orban, i cili theksoi se Hungaria dëshiron që kompanitë hungareze të kenë sukses dhe reputacion të mirë në Shqipëri.

Ai u shpreh se kompanitë hungareze po ecin shumë mirë edhe në tregun e telekomunikacionit. “Kemi gjithashtu edhe një projekt shumë të madh me Shqipërinë. Shqipëria dhe Egjipti, pra Europa dhe Egjipti do të lidhen me anën e një rrjeti të telekomunikacionit”,- tha Orban.

“Ne kemi lidhur rreth 50 qytete me “Wizz Air”-in dhe “OTP”-ja ka fituar edhe çmimin si banka më e mirë digjitale në Shqipëri. Kemi gjithashtu edhe faktin që edhe ujësjellësi i Budapestit luan tashmë një rol shumë të mirë edhe me homologun e vet në Tiranë”,- tha kryeministri hungarez.

“Ramë dakord me kryeministrin Rama që do të vijojmë bashkëpunimin dypalësh dhe jemi më se të hapur që biznesmenët shqiptarë të bëhen pjesë e ekonomisë sonë. Dëshirojmë ta rrisim rolin tonë në modernizimin e ekonomisë së Shqipërisë”,- tha Orban.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi bashkëpunimin mes dy vendeve, ndërsa theksoi se Hungaria ka qenë një zë i fuqishëm në hapjen e negociatave për grupkapitujt themelorë mes Shqipërisë dhe BE-së.

Rama e cilësoi Hungarinë si model sa i përket reformave të brendshme në administratë dhe qeveri.

Kryeministri Rama tha se gjatë vizitës u nënshkruan dy marrëveshje mirëkuptimi, në fushën e bujqësisë dhe në atë të administratës publike, e cila, sipas tij, është shumë e rëndësishme për ato vende që janë në proces integrimi.

Kryeministri Rama foli edhe për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, ku tha se investimet  e kompanive hungareze në Shqipëri arrijnë shifrën e 350 milionë eurove.

“Folëm edhe për investimet dhe ne jemi të inkurajuar që kompanitë hungareze po investojnë, por dhe numri i investimeve të huaja në shifra në euro është i pazakontë, 350 milionë euro. Diskutuam se si mund të arrijmë edhe më shumë në këtë fushë. Turizmi është një tjetër objektiv”,- tha Rama.

Kryeministri shqiptar shprehu mirënjohje ndaj Hungarisë për mbështetjen për Ballkanin Perëndimor, jo vetëm me fjalë por dhe me vepra.