Ilsi Ademi gjate nje eventi muzikor
Ilsi Ademi është një këngëtar i njohur nga qyteti i Shkodrës, i cili përveç muzikës popullore interpreton dhe në zhanre të tjera muzikore. Ai traditën muzikore e ka trashëguar nga familja pasi nëna e tij ka kënduar në festivalet e fëmijëve. Ilsi u bë i njohur për publikun e gjerë me pjesëmarrjen e tij në spektaklin televiziv “X-Factor”, ku u dallua për interpretimet dhe vokalin e tij. Ka publikuar mjaft këngë në kanalin YouTube, të cilat janë mirëpritur nga artdashësit. Prej vitesh ai jeton në SHBA, ku merr pjesë në aktivitete të organizuara nga shoqatat shqiptare. Në një intervistë për Radio Ejani Ilsi tregon për fillimet e tij në muzikë, bashkëpunimet dhe aktivitetet muzikore.
CMG: Kur lindi pasioni për muzikën popullore?
Ilsi Ademi: Pasioni për muzikën popullore ka lindur krejt rastësisht. Mua më ftuan në një drekë në Shkodër dhe më thanë që të këndoja këngët që i kisha kënduar në X-Factor dikur. Kështu që mora diskun me vete, por kur hyra tek lokali pashë orkestrën dhe këngëtarët Endri, Stefi dhe Era Rusin, këngëtarë shumë të njohur. Ata ishin me orkestër dhe vendosa të këndoja një këngë shkodrane. Në atë event ishte dhe një kolegia ime, e cila më ftoi të këndonim së bashku dy-tre këngë. Më vonë më morën në telefon dhe më thanë se kishin qejf të më ftonin për të kënduar në një lokal me muzikë qytetare shkodrane. Kur kam filluar kam ditur katër këngë popullore dhe e kam nisur që ta provoj, por e vazhdova këtë rrugëtim.
Kengetari shkodran Ilsi Ademi ne nje aktivitet
CMG: Traditën e këngës e ke trashëguar nga familja?
Ilsi Ademi: Nëna ime në fëmijërinë e saj ka kënduar në festivalet e fëmijëve, por dhe babai ka kënduar. Unë e kam trashëguar muzikën nga nëna, por dhe kam të afërme pianiste dhe flautist në Liceun artistik të Tiranës dhe kam përshtypjen se nga nëna e kam gjakun e muzikës.
CMG: Cila ka qenë kënga e parë që ke publikuar dhe je njohur nga publiku i gjerë?
Ilsi Ademi: Kënga e parë që kam patur suksesin më të madh dhe u njoha në gjithë Shqipëri dhe diasporë, ka qenë performanca në X-Factor. Ka qenë kënga e parë “Luna” nga Aleksandër Safina, aty ishte shpërthimi në karrierën time. Kurrë nuk e mendova që një performancë në atë spektakël do të më ndryshonte jetën në këtë mënyrë.
CMG: Sa këngë ke publikuar në YouTube dhe a je i kënaqur me ecurinë e tyre?
Ilsi Ademi: Unë kam dy-tre materiale të publikuara në kanalin tim të YouTube, por kam dhe mjaft këngë që kam të publikuara në kanalet e tjera, si dhe videoklipin e ri që e kam nxjerrë këto ditë. Jam shumë i kënaqur me ecurinë e këngëve sepse kam pasur një rritje graduale në karrierë.
CMG: Si titullohet kënga e re që ke publikuar së fundi?
Ilsi Ademi: Kënga është në bashkëpunim me reperin shqiptar 52oni, dhe titullohet “Karma”, është një dedikim që e bëra kur isha në SHBA dhe e mendova që këtë refren ta përktheja në këngë. Kontaktova me kompozitorin Maringlen Boja në Shqipëri, për ta pyetur nëse mund të realizonim këtë projekt. Unë i thashë se për të dalë këngë e bukur duhet një reper. Ky projekt ka dy vite që e kam menduar ta realizoj, por këtë vit i kisha mundësitë të rrija pak më gjatë në Shqipëri dhe ta përfundoja.
CMG: Si ndjehesh kur interpreton këngët popullore qytetare shkodrane?
Ilsi Ademi: Ne shkodranëve na i ka falur Zoti shumë gjëra që muzika e bukur popullore kërkon. Unë jam rritur me zërin e Bujar Qamilit, Violeta Zefit, Vjollca Lukës, Adnan Balës dhe Hajro Pepës, kam patur fatin të performoja dhe në skenë me këta emra të mëdhenj të muzikës popullore shkodrane.
Ilsi Ademi duke kenduar
CMG: E ke veshur ndonjëherë kostumin popullor tradicional?
Ilsi Ademi: Kostumin popullor tradicional e kam veshur në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës në vitin 2016, ku kam qenë pjesëmarrës në këtë festival. Gjithashtu e kam veshur disa herë kur kam marrë pjesë në Festivalin Tipologjik të këngës popullore në Elbasan, ku jam vlerësuar dhe me çmime. Kostumin popullor e kam veshur dhe në ahengun shkodran, ku kam marrë pjesë tre vjet. Më gjetën një veshje katolike të vjetër shkodrane dhe me atë veshje kam dalë në çdo skenë.
CMG: Para pak kohësh je prezantuar në një program televiziv të muzikës popullore. Si ishte si eksperiencë pjesëmarrja jote aty?
Ilsi Ademi: Kur më është bërë ftesa unë kam qenë në SHBA dhe kompozitori i këngës Luan Dagistani më foli rreth këtij programi në Top Channel, më pyeti nëse kisha dëshirë të merrja pjesë. Kjo këngë ishte me tekst të poetit të ndjerë Jorgo Papingji dhe kisha fatin të këndoj këtë këngë me vargjet e tij, por nuk kisha fatin ta takoja personalisht sepse ai u nda nga jeta pak kohë më parë. Unë jam shumë krenar dhe i kënaqur që kam kënduar një material muzikor nga dy mjeshtra të këngës popullore qytetare, siç është i paharruari Papingji, por dhe kënaqësi t’i këndoja Shkodrës sepse nuk i kisha kënduar kurrë. Kam dashur të këndoj këngë shkodrane, por kurrë Shkodrës në veçanti, sepse nuk e kisha menduar se do vija në SHBA dhe do të bëhesha kaq nostalgjik për Shkodrën.
Ilsi Ademi me veshje popullore tradicionale
CMG: Si i mban lidhjet me kolegët dhe miqtë tani që jeton larg Shqipërisë?
Ilsi Ademi: Lidhjet me kolegët i kam shumë të mira, mbaj kontakte me gjithë shokët dhe kolegët. Ka shumë kolegë të mi nga Shkodra që do të vijnë në SHBA dhe unë i pres këtu për festa e gëzime familjare. Unë jam sekretar i shqoqatës “Rozafa” në SHBA, por dhe kryetar i Forumit rinor për rininë shkodrane. Kështu që kam dy mundësi më shumë për të mbledhur rininë, por dhe moshat e dyta e të treta që janë në SHBA. Bashkarisht organizojmë evente të ndryshme artistike, ku njerëzit mblidhen së bashku.
CMG: Jetojnë shumë shkodranë në SHBA?
Ilsi Ademi: Në SHBA ka shumë shkodranë, mbi 250-300 familje shkodrane jetojnë vetëm në Nju Jork, Nju Xhersi dhe Pensilvani.
CMG: Cilat janë aktivitetet dhe projektet tuaja muzikore në vazhdim?
Ilsi Ademi: Unë marr pjesë në mjaft evente, për festën e Pavarësisë do të jem pjesëmarrës në Florida. Gjithashtu do të kem një organizim në Nju Jork nga forumi rinor bashkë me shoqatën “Ulqini”, ku do të bëjmë një mbrëmje festive për rininë shkodrane dhe ulqinake. Unë marr pjesë dhe në aktivitetet të organizuara nga shoqatat e tjera në SHBA, ku nuk ftohem vetëm për të kënduar këngë popullore, por dhe për të kënduar himnin kombëtar. Përsa i përket produksioneve të reja muzikore këtë vit nuk kam asnjë projekt të ri sepse dua të bëj pak pushim.
Intervistoi: Gazmend Agaj