Asetet e paqes dhe sfidat strategjike në Ngushticën e Tajvanit
2024-10-12 13:14:58

Më të fortët nga të gjithë luftëtarët janë dy - Koha dhe Durimi, shkruante Tolstoi [Lufta dhe paqja]...koha dhe durimi nuk janë thjesht koncepte abstrakte, ato janë komponente jetike të operacioneve dhe strategjive të suksesshme. Aftësia për të manovruar në kohë dhe me durim kërkon vizion dhe ide, kërkon një zotësi të madhe për të ditur se kur duhet vepruar dhe kur duhet pritur. Në gjeopolitikë, koha dhe durimi janë ndoshta asetet më të çmuara.

Dinamikat e ngushticës së Tajvanit kanë qenë dhe me shumë gjasa do të jenë edhe në të ardhmen e afërt, në qendër të vëmendjes - në fillim kontinentale (Aziatike) dhe më tej globale. Sidomos që me ardhjen në pushtet të Lai Ching-te më 20 maj 2024, u pa se në të dyja anët e ngushticës së Tajvanit do të kishte zhvillime të ngjeshura, dhe kështu po ndodh. Duke promovuar idenë e Tajvanit si një entitet politik i veçantë, Lai ndezi sërish tensionet në një fjalim të datës 10 tetor. Ky ishte fjalimi për “Ditën Kombëtare” dhe një tjetër përpjekje për të sjellë narrativën në pika konfrontimi me pjesën kontinentale të Kinës.

 

Foto nga VCG

Taipei, kryeqendër e rajonit Tajvan/VCG

Fjalimi i Lai-t: problematika (të thëna e të pathëna)  

Në fjalimin e tij, Lai  shprehu se “Republika Popullore e Kinës nuk ka të drejtë të përfaqësojë Tajvanin.” Ai theksoi se misioni i tij si udhëheqës ishte të sigurohej që “sovraniteti i kombit, nuk do të shkelet.” Por, retorika separatiste e Lai-t që kërkon të ashtuquajturën “sovranitet dhe identitet kombëtar” nën petkun e angazhimit e tij “për të ruajtur status quon e paqes dhe stabilitetit” ndjell në fakt turbulenca të rrezikshme në Ngushticën e Tajvanit.

Vendosmëria e qeverisë kineze për ribashkimin do të thotë se ajo do të marrë të gjitha masat e nevojshme, përfshirë ato ushtarake, për të mbrojtur integritetin e saj territorial. Lai është i qartë për pasojat e shkeljes së parimit të “një Kinë”, por gjithsesi ka tentuar vazhdimisht të sfidojë vijën e kuqe të Pekinit. Kjo pa dyshim, ka larguar perspektivën e një ribashkimi paqësor, duke e shtyrë rajonin në prag të konflikteve reale.

Lai beson se pozicioni i tij mund të fitojë mbështetje të konsiderueshme në ishull, por përballë ka shumë sfida. Që kur mori detyrën më 20 maj, ai ka pasur mosmarrëveshje me parti opozitare si Kuomintang (KMT) dhe Partinë Popullore të Tajvanit (TPP), si dhe ndarje brenda partisë së tij, Partisë Demokratike Progresiste (DPP). Kjo ka çuar në frakturë më të thellë të brendshme e politike, dhe për më tepër ka mungesë konsensusi. Një tjetër sfidë me të cilën përballet Lai është rënia e mbështetjes popullore. Sondazhet e fundit tregojnë se përqindja e qytetarëve të kënaqur me qeverisjen e tij është ulur.

Foto nga VCG

Lai Ching-te/VCG

Në marrëdhëniet me Kinën, Lai është përballur me reagime të forta ndaj qëndrimeve të tij mbi “çështjen e pavarësisë.” Kina ka ndërmarrë një sërë masash, përfshirë stërvitje ushtarake dhe ndryshime në politikat tregtare.

Ma Ying-jeou, për shembull, e ka akuzuar Lain për shkelje të "Kushtetutës" duke promovuar teorinë e "dy shteteve" në disa raste dhe refuzoi të marrë pjesë në festimet e "Ditës Kombëtare" si një gjest kundër qasjes së Lai-t ndaj marrëdhënieve ndërmjet dy brigjeve. Kryetari i partisë Kuomintang, Eric Chu, gjithashtu i bëri thirrje Lai-t që "të tejkalojnë ideologjinë e ngushtë të pavarësisë së Tajvanit. Për të rruga e pavarësisë së Tajvanit nuk është e zbatueshme. Ajo do të çojë në vështirësi për Tajvanin dhe është kundërshtuar nga komuniteti ndërkombëtar", theksoi Chu.

Dhe mbi të gjitha, në marrëdhëniet me ShBA-në, Lai ka kërkuar të thellojë bashkëpunimin, përfshirë përpjekjet për blerje armësh dhe ftesa për ligjvënësit amerikanë. Duke dalluar mungesën e gatishmërisë së Uashingtonit për të mbështetur idetë e tij, që vetë Uashingtoni i ka quajtur “të pakontrollueshme", kësaj radhe ai shfaqi retorikën e “paqjes”, ndoshta për të qetësuar frikën se ambiciet e tij separatiste mund të shkaktojnë konflikte në Ngushticën e Tajvanit.

Në fakt, retorika e Lai-t padyshim do të rrezikojë marrëdhëniet ndërmjet dy brigjeve të ngushticës, ndoshta dhe në realitete konfrontimi, me kosto të mëdha mbi vetë paqen dhe zhvillimin e rajonit.  Duke trumpetuar paqe dhe mirëqenie, në të vërtetë po sakrifikon të dyja për ambiciet personale e politike.

 

Realiteti i të drejtës ndërkombëtare dhe çështja e Tajvanit

Rikthimi i Tajvanit në Kinë është një komponent i rendit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore – kjo u nënshkrua në Deklaratën e Kajros të vitit 1943 dhe Proklamatën e Potsdamit të vitit 1945. Sipas parimit “një Kinë” ekziston vetëm një Kinë në botë dhe Tajvani është një pjesë e pandashme e Kinës. Seanca e 26-të e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së miratoi Rezolutën 2758 në vitin 1971, duke përjashtuar përfaqësuesit e autoriteteve të Tajvanit dhe duke rivendosur vendin dhe të gjitha të drejtat ligjore të qeverisë së RPK-së në OKB. Fakti që Tajvani është pjesë e Kinës është një fakt bazë i njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Në mbarë botën, 183 vende kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën mbi bazën e këtij parimi, duke treguar se parimi i një Kine përfaqëson një trend global.

Foto nga VCG

Kryediplomati i Hondurasit në ceremoninë e firmosjes së marrëveshjes së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të vendit të tij me Kinën, pasi Hondurasi shkëputi lidhjet zyrtare me autoritetet e Tajvanit, 26 mars 2023, Pekin/VCG

Parimi “një Kinë” është një normë themelore e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një konsensus gjerësisht i pranuar në komunitetin ndërkombëtar. Tajvani gjithmonë ka qenë një çështje e ndjeshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe çdo përpjekje për të krijuar hapësirë më të madhe ndërkombëtare kërkon një qasje të kujdesshme dhe të matur. Ruajtja e stabilitetit dhe shmangia e përshkallëzimit të tensioneve në këto ditë, bëhet thelbësore.

 

Pozicioni i Kinës dhe reagimet zyrtare

Arroganca e Lai-t buron nga një llogaritje strategjike e gabuar e situatës aktuale në Ngushticën e Tajvanit, shkruan një analist Kinez direkt pas fjalimit të Lai-t. Për Pekinin zyrtar, çështja e Tajvanit përfshin sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit të Kinës, dhe është në qendër të interesave thelbësore të Kinës. Qeveria qendrore nuk do të lejojë kurrë "pavarësinë e Tajvanit."

Foto nga VCG

Kina dhe Nauru deklaruan rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike, pasi Nauru shpalli shkëputjen e lidhjeve zyrtare me autoritetet e Tajvanit, 24 janar 2024, Pekin/VCG

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, tha në një konferencë për shtyp se fjalimi i Lai-t kërkonte me qëllim të shkëpuste lidhjet historike midis dy anëve të Ngushticës së Tajvanit, duke përsëritur retorikën e "mos nënshtrimit ndaj njëri-tjetrit" dhe "këmbënguljes në sovranitet," ndërsa ndryshoi taktikat për të përhapur mashtrimin e "pavarësisë së Tajvanit." Kjo ekspozoi edhe një herë qëndrimin e ngurtë të Lai-t dhe zbuloi qëllimet e tij dashakeqe për të përshkallëzuar tensionet në Ngushticën e Tajvanit për përfitime të veta politike, tha Mao.

Pavarësisht nga ajo që thonë apo bëjnë autoritetet në Tajvan, kjo nuk mund të ndryshojë faktin e pamohueshëm që të dy anët e Ngushticës së Tajvanit i përkasin një Kine të vetme dhe nuk mund të pengojë prirjen historike të ribashkimit të pashmangshëm të Kinës, që përfundimisht do të arrihet. Për Ministrinë e Jashtme të Kinës, vendi kundërshton fuqimisht çdo formë të shkëmbimeve zyrtare me Tajvanin nga vendet që kanë marrëdhënie diplomatike me Kinën, dhe kundërshton vendosmërisht çdo ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës me cilindo mjet apo pretekst.

Zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Këshillit të Shtetit, Chen Binhua, duke kritikuar fjalimin u  shpreh se provokimet, dhe telashet e krijuara qëllimisht nuk do të pranohen asnjëherë nga Pekini.

Chen tha se pas vitit 1949, për shkak të luftës së zgjatur civile në Kinë dhe ndërhyrjeve të jashtme, të dy anët e Ngushticës së Tajvanit kanë qenë në një gjendje të zgjatur përballje politike. Sidoqoftë, Tajvani ka qenë gjithmonë një pjesë e territorit kinez, bashkëkombësit tajvanezë kanë qenë gjithmonë anëtarë të kombit kinez, dhe qeveria e Republikës Popullore të Kinës ka qenë gjithmonë qeveria e vetme legjitime që përfaqëson të gjithë Kinën, përfshirë Tajvanin, tha ai. Kina ka qenë gjithmonë atdheu i të gjithë popullit kinez, dhe mbajtja e parimit të një Kine ka qenë gjithmonë një konsensus i përbashkët në komunitetin ndërkombëtar, vuri në dukje Chen.

Foto nga VCG

Manovra ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës në ujërat rreth ishullit Tajvanit, 4 gusht 2022/VCG

Sistemet e ndryshme nuk janë pengesë për bashkimin, as nuk janë një justifikim për ndarje. Lufta aktuale kundër "pavarësisë së Tajvanit" nuk është një luftë mbi sisteme, por një luftë midis ribashkimit dhe ndarjes, theksoi ai. "Ne kemi besimin dhe aftësinë për të arritur ribashkimin e plotë të atdheut tonë. Asnjë individ apo forcë nuk mund ta ndalojë prirjen historike të ringjalljes dhe ribashkimit kombëtar," tha Chen.

 

Së fundmi, duke marrë parasysh situatën aktuale gjeopolitike, situata rreth Tajvanit vazhdon të jetë një pikë tensioni dhe  mandati i Lai Ching-te është shoqëruar me një retorikë të acaruar e me rreziqe të shtuara. Ndërsa narrativa synon të ndezë mbështetje ndërkombëtare, ajo thjesht nxjerr në pah brishtësinë e pozitës së Lai-t në skenën globale dhe ky realitet e vendos Tajvanin në një situatë të paqëndrueshme, ku retorika e liderit mund të çojë në izolim të shtuar dhe përballje. Duket sikur në Taipei nuk ka as kohe as durim për të shkuar para. Kur i mungon durimi dhe koha, mund të përballet me një cikël të pafund mosmarrëveshjesh, pasigurie dhe instabliteti.

 

Dr. Marsela Musabelliu