BE-ja s’është gati, shtyhet hyrja në fuqi e rregullave të reja të EES-së
2024-10-12 16:34:17

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Eurokomisionarja për Punët e Brendshme, Ylva Johanson, deklaroi se sistemi i ri i hyrje-daljeve (Entry/Exit System – EES) i Bashkimit Europian, i parashikuar të hynte në fuqi nga 10 nëntori i këtij viti, është shtyrë për një kohë të papërcaktuar, pasi një pjesë e vendeve anëtare të bllokut nuk janë ende të gatshme për përdorimin e tij, shkruan “Panorama”.

Johanson nuk bëri të ditur një afat kohor se kur mund të hyjë në fuqi. EES-ja, i krijuar në nëntor 2017, është një sistem për udhëtarët nga vendet joanëtare të bllokut.

Me EES-në, të gjithë qytetarët nga vendet joanëtare që udhëtojnë për në vendet e BE-së duhet të regjistrohen në një sistem të veçantë digjital për hyrjet dhe daljet e tyre. Në vendkalimet kufitare, ata duhet të lënë edhe të dhënat personale, përfshirë edhe gjurmët e gishtërinjve dhe të dhënat e tjera biometrike.

Ky sistem është konsideruar si i nevojshëm për ta rritur sigurinë e BE-së, për të pasur një kontroll se kush hyn në BE, si edhe për të luftuar dhe sanksionuar keqpërdorimet nga ata që mund të hyjnë pa viza, por pastaj s’i respektojnë rregullat.

Ekspertët kanë paralajmëruar se ky sistem ka mundësi të rrisë pritjet në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian.

Ndër vendet të cilat nuk janë gati për të nisur me 10 nëntor zbatimin e këtij sistemi, janë përmendur Gjermania, Franca dhe Holanda.

Komisioni Europian dhe vendet anëtare të BE-së do të punojnë për të përgatitur zbatimin e këtij sistemi, por data se kur do të nisë kjo nuk është përmendur.

Ky sistem nuk është njëlloj sikur sistemi ETIAS, i cili do të duhej të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm. ETIAS është një sistem i cili u kërkon shtetasve të vendeve të treta të regjistrohen para se të udhëtojnë drejt BE-së dhe të presin konfirmimin. Konfirmimin e marrin për një periudhë trivjeçare.