Terapia e qelizave për sëmundjet autoimune konsiderohet e para në botë
2024-10-12 17:08:53

Një lloj i ri terapie i ideuar nga shkencëtarët kinezë, duke përdorur qeliza të shëndetshme donatore, të cilat kanë treguar përmirësime të rëndësishme në trajtimin e çrregullimeve të rënda autoimune, u publikua së fundmi në faqen e internetit të revistës shkencore “Nature”, shkruan “China Daily”.

Rezultati i botuar në uebsajtin e revistës "Nature"

Tre pacientë në spitalin Changzheng të Shangait, të cilët po trajtohen për sëmundje të rënda autoimune, rezistente ndaj trajtimit, iu nënshtruan terapisë dhe arritën përmirësim afatgjatë, që përfaqëson përdorimin e parë të raportuar të suksesshëm të një qasjeje të tillë për sëmundjet autoimune në botë.

Artikulli prezantoi terapinë e qelizave T të receptorit kimerik të antigjenit, e cila përfshin modifikimin gjenetik të qelizave T të një pacienti - qelizat e bardha të gjakut që janë një pjesë e rëndësishme e sistemit imunitar - për të sulmuar qelizat e kancerit.

Artikulli, i titulluar “Terapia e parë në botë duke përdorur qelizat e donatorëve që lufton sëmundjet autoimune”, u publikua në faqen e internetit të revistë “Nature” më 5 tetor.

Më 16 korrik, në faqen e internetit të revistës “Cell” u publikua një punim në lidhje me hulumtimin e udhëhequr nga spitali Changzheng i Shangait, në bashkëpunim me Universitetin Normal të Kinës Lindore dhe Spitalin e Dytë të lidhur me Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Zhejiang.

Terapia CAR-T ka ndihmuar në revolucionarizimin e trajtimit të kancerit në vitet e fundit. Studimi i ri, i udhëhequr nga Xu Huji nga Spitali Changzheng, hulumtoi potencialin e terapisë për trajtimin e sëmundjeve autoimune, të cilat ndodhin kur sistemi imunitar sulmon indet e shëndetshme.

Terapia CAR-T zakonisht mbështetet në qelizat T të vetë pacientit. Por në sëmundjet autoimune, qelizat T të një pacienti mund të jenë jofunksionale. Qasja e re përdor qelizat e shëndetshme të donatorëve, duke ofruar një zgjidhje potencialisht më efektive, tha Xu, drejtor i Reumatologjisë dhe Imunologjisë në spital.

“Suksesi i trajtimit te tre pacientë ngjall shpresa për prodhimin masiv të terapive të fundit CAR-T. Nëse rezulton i suksesshëm, do të lejojë kompanitë farmaceutike të rrisin prodhimin, duke ulur potencialisht kostot dhe kohën e prodhimit. Në vend që të bëhet një trajtim për një person, terapitë për më shumë se njëqind njerëz mund të bëhen nga qelizat e një dhuruesi”,- thuhet në artikull.

Më shumë se 80 sëmundje autoimune janë të lidhura me mosfunksionimin e qelizave imune. Shumica e këtyre sëmundjeve kanë mundësi të kufizuara trajtimi dhe nuk ka kurë për to.

Tre pacientët e përfshirë në provën klinike të raportuar në artikull janë një grua dhe dy burra. Një që ka miozit nekrotizues të ndërmjetësuar nga imuniteti, rifitoi lëvizshmëri të konsiderueshme pas trajtimit. Dy të tjerët, të cilët kanë sklerozë sistemike, një gjendje e karakterizuar nga lëkura e ngurtësuar, pësuan zbutje të lëkurës dhe përmirësim të funksionit të organeve.

Xu shpjegoi se në zhvillimin e disa çrregullimeve autoimune, zhvillimi jonormal dhe mosfunksionimi i qelizave B, të cilat janë qelizat e bardha të gjakut të përfshira në sistemin imunitar adaptiv të trupit, është një nga shkaqet kryesore të sëmundjes.

Sipas tij, terapia CAR-T ka shfaqur potencial të madh në trajtimin e tumoreve malinje që lidhen me qelizat B.