Arti për mua është krijimtari, është gjeneza e emocioneve dhe pa emocione nuk mund të ketë art. Kur unë dëgjoj fjalën art është si të thuash nuk ka limit. Arti për mua, ashtu si edhe e bukura kanë një lidhje të veçantë që do të thotë e bukura nuk ka fund asnjëherë. Piktura për mua është një kompozim emocionesh në telajon e bardhë që idetë që gjithësecili nga ne artistët ka i shpalos në telajon e bardhë.
Fillimet e mia kanë qenë tek portretet, tek klasikja dhe me kalimin e viteve sigurisht që me pjekuri arrihet aty ku dëshiron. Nuk mendoj që jam në fundin e rrugës, jam pothuajse në mesin e rrugës drejt krijimtarisë. E di që kam shumë rrugë për të bërë sepse arti nuk ka limit, për mua edhe krijimtria nuk ka limit, nuk besoj që kam për të ndalur ndonjëherë. Ka filluar tek klasikje dhe me kalimin e viteve kam vazhduar të përdor më së shumti modernen, kontemporanen, abstrakten. Më pëlqen të eksploroj, që në çdo ekspozitë timen të vij ndryshe. Më pëlqen që të krijoj me materiale të riciklueshme dhe të jap emocione. Atë emocion që unë kam në brendësi ta shpalos nëpërmjet artit pamor.
Në këto ditë që po jetoj ndihem një nënë dhe artiste e realizuar, por ka shumë punë përpara. Më frymëzon jeta, njerëzit që kam përreth, familja, fëmijët e mi si dhe e bukura, energjia që njerëzit më japin.
Studimet si ekonomiste më ndihmojnë në punën time të përditshmë si arkitekte e brendshme. Të qenurit arkitetk i brendshëm ka qenë një dëshirë e imja e madhe, por që ka lindur me artin. Që fëmijë kam pikturuar dhe gjithmonë doja që veten time ta realizoja si një artiste dhe kjo ka qenë arsyeja që kam ndjekur studimet për artet figurative, për arkitekturë të brendshme, por lidhen tek arti, tek e bukura. Ekonomiku më ka ndihmuar sepse pa të nuk mund të bëjmë biznes dhe planet e punëve të përditshme, kështu që nuk i ndaj asnjëherë nga njëra- tjetra. Për mua lidhen në një. Për të qenë këtu ku jam dhe për të realizuar një projekt të trija gërshetohen sëbashku.
Për mua sfida më e madhe ka qenë kur kam mbaruar studimet jashtë dhe jam kthyer në Shqipëri, ku u përballa me një realitet krejt ndryshe, u gjenda mes disa udhëkryqeve. Nëse mund ta quaj sfidë ishte që nuk u dorëzova asnjëherë, vazhdova të besoj në aftësitë e mia, që njerëzit do të më përkrahin, artistët e rinj dhe jo vetëm, dhe falë punës ndoshta kam arritur këtu ku jam. N sfidë tjetër mund të them që lidhet me artin dhe kam luftuar dhe vazhdoj të luftoj fort sepse për të qenë një artist, një arkitekt i brendshëm në Shqipëri dhe jo vetëm, nuk është e lehtë dhe çdo ditë ka sfida të ndryshme që duhet t’i kapërcesh patjetër.
Gjithmonë kam një ide kur nisem për të pikturuar. Në disa raste në fakt nisem nga një objekt i caktuar. Në disa raste nisem nga një dizajn për shembull një hotel, një bar, një restorant apo një apartament, por nuk dal asnjëherë nga vetja. Në çdo punim të jeni të sigurt që do të shihni pak Anila sepse është emocioni i brendshëm që unë përcjell tek ngjyrat, tek tematika, përkrah shumë të drejtat e grave. Janë tematika të ndryshme që më bëjnë përshtypje dhe i shpalos në punimet e mia.
Momenti i parë që jam prezantuar mes artistëve shqiptarë dhe për artëdashësit ka qenë një ekspozitë me rreth 40 punime që kam bërë pasi jam kthyer nga studimet jashtë dhe ka qenë një tematikë “Love”. Tematikën “Love” ia kam kushtuar jetës, dashurisë, gruas, nënës. Kjo ekspozitë ka qenë trampolina për të vazhduar më tej me eskpozita të tjera dhe kjo ka qenë e veçanta sepse doja të vija ashtu siç është Anila: me shumë emocion, me pastërtinë e një artisteje të re që shpresonte dhe shpreson që një ditë do të jetë një artiste e njohur për artëdashësit.
Aktualisht me një artiste shqiptare marim pjesë në Gjilan të Kosovës në muajin rozë. Në fakt tematika “muaji rozë” të provokon në zgjedhjet artistike. Për këtë rast unë kam zgjedhur një lule shqiponjë, e cila përfaqëson Shqipërinë sepse është një lule e njohur në ambjentet e gjithësecilit prej kohësh dhe është ai mesazhi që dua të përcjell tek çdo nënë, tek çdo grua që të duam jetën, të kujdesemi për të ashtu siç kujdesemi për lulet. Ashtu si lulja vyshket e thahet, ashtu është edhe trupi i njeriut.
Më pëlqen të eksperimetoj. Kam filluar me cd, pas tyre kam punuar me guacka, me rruaza, me bizhu të ndryshme që mikeshat e mia nuk i përdornin më, unë i merrja dhe krijoja me to. E frymëzuar jam nga maestro Sajmir Strati, për mua është një idhull. Jo vetëm për mua, por besoj edhe për shumë të rinj, artistë, studentë. Jam frymëzuar nga punimet e tij sepse e shoh të paarrirë në fushën e tij dhe e admiroj për punën, ndaj aty kanë qenë fillimet e mia, merrja materiale të riciklueshme dhe i ktheja në art. Ende vazhdoj dhe nuk e di nëse do të ndalem apo me çfarë do të punoj, por kam një projekt që do ta bëj diku në pranverë, për 7-8 mars që dua të punoj me lule të thara dhe të krijoj një kolazh.
Nëse unë do të kisha për të punuar punën time të fundit nëqoftëse mund ta quaj kështu, ajo do të ishte një portret i familjes time. Shpesh herë u them fëmijëve të mi që pasuria më e madhe që unë do ju lë janë këto vepra arti.
Nëse do të kisha përballë Anilën 18-të vjeç do t’i thoja: e shikon, ëndrrat e tua në sirtar i realizuam sëbashku dhe kjo është falë punës dhe vullnetit.
Intervistoi Jerida Sakaj