Fillon në Shangai zbatimi i Specifikimeve mbi Shërbimin e Barnave Ndërkombëtarë
2024-10-11 11:29:37


Foto nga VCG

Pak kohë më parë, Ministria e Tregtisë, Komisioni Kombëtar për Shëndetësinë dhe Administrata Shtetërore e Kontrollit të Barnave të Kinës publikuan njoftimin për zgjerimin e fazës eksperimentale të sektorit shëndetësor, duke paraqitur planin që lejon ngritjen e spitaleve me investime të huaja në nëntë krahina të Kinës, mes tyre në Pekin, Tianjin dhe Shangai. 

Një vizitë në Shangai për të marrë shërbime mjekësore të rangut botëror, po bëhet një opsion i vlefshëm për gjithnjë e më shumë të huaj.

Shangai është një qytet me burime të pasura mjekësore në Azi. Më 1 tetor, aty filloi zbatimi i Specifikimeve mbi Shërbimin e Barnave Ndërkombëtare me standard vendas. Kjo ka plotësuar vendet bosh të Kinës në këtë drejtim dhe është një hap konkret i Shangait për eksplorimin e shërbimeve ndërkombëtare me hapje të lartë. 

Për herë të parë, në këtë dokument përcaktohet përkujdesja për mjekësinë ndërkombëtare dhe institucionet mjekësore të shërbimit ndërkombëtar, duke u paraqitur kërkesa të detajuara për institucionet, sistemet, punonjësit, etj. 

Gu Jingwen, Drejtore e Departamentit Ndërkombëtar të Spitalit Huashan pranë Universitetit Fudan, është një nga përpilueset e këtij dokumenti. Ajo u shpreh:“Shërbimi ndërkombëtar mjekësor është një shërbim me cilësi të lartë dhe karakteristika ndërkombëtare. Ai nuk është vetëm një mjekim i specializuar, por është një sektor i ri me mjekime, menaxhime, shërbime, turizëm dhe sigurime.”

Foto nga VCG

Mjekësia ndërkombëtare ka nevojë për mjekë dhe infermierë të aftë të komunikojnë në gjuhë të huaj dhe me eksperienca specifike. Në fakt, stafi në shumë departamente ndërkombëtare të spitaleve 3A në Shangai, mund komunikojë në gjuhën angleze, si edhe gjuhët gjermane dhe franceze.

Zhang Zhenli, Drejtore Departamenti në Spitalin Ruijin pranë Universitetit Jiaotong të Shangait, tha:“Në spitalin tonë ka rreth 200 mjekë që flasin gjuhën franceze. Ndërkohë ne ofrojmë shërbime në gjuhën gjermane dhe koreane.”

Përveç shërbimeve në gjuhë të huaja, në Shangai gjenden shumë spitale 3A që kanë nënshkruar kontrata me mbi 30 institucione të sigurimeve shëndetësore të Kinës. Pagesat mund të kryhen direkt mes spitaleve dhe këtyre kompanive. Rota është kryepërfaqësues i një kompanie gjermane në Shangai. Falë nivelit teknik dhe shërbimit cilësor të spitaleve të Shangait, ai ka zgjedhur ta kryejë aty operacionin e tij në mëlçi.

“Kam patur një përvojë shumë të mirë këtu. Mjekët janë ekspertë të dalluar. Unë i besoj totalisht dhe jam shumë i kënaqur me punën e tyre. Unë kam siguracion ndërkombëtar, ndaj kompania e sigurimeve do të paguajë 100% shpenzimet e mia. Shërbimet dhe teknikat në spitalet kineze janë shumë impresionuese,” tha Rota.

Foto nga VCG

Gu Jingwen u shpreh se bazuar në përvojat ndërkombëtare, shërbimet cilësore ndërkombëtare në mjekësi mund të plotësojnë kërkesat e pacientëve me nivele dhe nevoja të ndryshme. Kjo i shërben përmirësimit të mjedisit të biznesit, si edhe ngritjes së ndikimeve të spitaleve vendase në tregun ndërkombëtar.

(Jiang Lei)