Më 1 tetor një delegacion i qeverisë shqiptare, i kryesuar nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Ministrin e Financës dhe Ministren e Turizmit dhe Mjedisit mori pjesë në Forumin Global të Dialogut në Berlin.
Përfaqësuesit e qeverisë shqiptare ndanë me pjesëmarrësit në Forum, sidomos me përfaqësues të shumë investitorëve strategjikë në Evropë, progresin e Shqipërisë në sektorë të rëndësishëm, si turizmi, energjia e rinovueshme, zhvillimi infrastrukturor dhe projektet kryesore të Korridoreve rrugore dhe hekurudhore në Shqipëri, pjesë të Rrjetit rrugor dhe hekurudhor Paneuropian TEN-T.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku në Forum (Foto ATSH)
Ministrat e qeverise shqiptare informuan edhe për kuadrin mjaft miqësor dhe të plotë ligjor, sa i takon investimeve të huaja. Ky kuadër garantohet përmes ligjit “Për investimet e huaja” në Shqipëri, i cili mbështetet në parimet e barazisë, mosdiskriminimit dhe mbrojtjes së investitorëve te huaj. Sipas këtij ligji, nuk ka nevojë për autorizim paraprak për të huajtë, që të hapin një biznes në vend. Po ashtu, është ë mundur pronësia 100 përqind e huaj në një ndërmarrje. Investitorët e huaj kanë të drejtë për të riatdhesuar të gjitha fondet dhe kontributet në para dhe natyrë të investimeve të tyre. Ata trajtohen në kushte po aq të favorshme se ato të parashikuara për investime vendase në rrethana të ngjashme, përveç pronësisë së tokës, e cila rregullohet me ligj të veçantë.
Një kompani me pjesëmarrje të investimeve të huaja ka të drejtë të punësojë edhe shtetas të huaj pa kufizim. Prona private dhe investimet e huaja mbrohen me ligj nga shpronësimi, apo nga masa me efekt të ngjashëm. Në të gjitha rastet dhe në çdo kohë, investimet e huaja kanë trajtim të barabartë e të paanshëm, duke gëzuar mbrojtje dhe siguri të plotë tek ne.
Vizita e delegacionit qeveritar të Shqipërisë në Forumin e Berlinit vjen në një moment shumë pozitiv për investimet e huaja në vend.
Fitimet e investitorëve të huaj tek ne kanë arritur një rekord të ri historik për gjysmën e parë të këtij viti. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat e investitorëve të huaj nga investimi në Shqipëri, për periudhën janar-qershor 2024, arritën vlerën e 549 milionë eurove, në rritje me 19 perqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo shumë përfaqëson fitimet e shpërndara ose të riinvestuara të investitorëve të huaj në Shqipëri. Këtë vit këto fitime kanë shënuar nivelin më të lartë historik. Po ashtu, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet për gjysmën e parë të këtij viti, u rritën në 161 milionë euro, ose 81 përqind më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për gjysmën e parë të këtij viti, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 394 milionë euro, ose 5.3% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Për 6-mujorin e pare te vitit 2024, fitimet e riinvestuara përbënin 53% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte në Shqipëri.
Zv.kryeministrja Balluku (foto Abc.news.al)
Në një raportim nga Berlini, ZvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Ballulku theksoi se “Sot në Berlin u zhvillua Dialogu Global i Berlinit, në të cilin mora pjesë, së bashku me Ministrin e Financave dhe Ministren e Turizmit dhe të Mjedisit, për të diskutuar me të gjithë partnerët e tjerë evropianë, përsa i përket sfidave të mëdha që ka tashmë Evropa, por edhe vendet e vogla në të, sikurse është Shqipëria, apo Luksemburgu, Hungaria dhe vende te tjera.
Mora pjesë në disa nga këto panele, për të diskutuar dhe për të dhënë eksperiencat më të mira që Shqipëria tashmë po aplikon, si për industrinë e turizmit, ashtu dhe për t’u bërë sa më tërheqëse për investitorët e huaj.
Gjatë ditës së sotme, patëm mundësi që të uleshim dhe me një pjesë të investitorëve strategjikë gjermanë, të cilët janë të interesuar për të investuar në vendin tonë. Ne i informuam ata për skemat e taksimit, por edhe për të githa lehtësitë dhe incentivat që një investitor i huaj merr në Shqipëri.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku në Forum (Foto ATSH)
Dialogu Global i Berlinit mbetet një nga forumet më të rëndësishme dhe Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë rast për të promovuar veten e saj në të gjitha këto forume ndërkombëtare dhe për të bërë të ditur për të gjithë investitorët e huaj se tashmë vendi plotëson çdo kusht për t’u konsideruar si një vend i Bashkimit Europian, duke pasur parasysh dhe hapjen e negociatave që ne presim në ditët në vijim”.
Duke qenë se një pjesë e mirë e fitimeve të investitorëve të huaj në Shqipëri nuk shpërndahen, por riinvestohen, forcimi i lekut, në mënyrë të tërthortë, ka ndikuar edhe në rritjen e investimeve të huaja në vitet e fundit tek ne.
Fitimet e riinvestuara në vitet e fundit kanë marrë peshën kryesore në strukturën e investimeve të huaja direkte. Kjo, ngaqë mes qytetarëve dhe sipërmarrësve që kanë përfituar nga rënia e euros në kursin e këmbimit në tregun e Shqipërisë, janë edhe investitorët e huaj. Ndërmarrjet e huaja në përgjithësi i sigurojnë të ardhurat e tyre në lekë, ndërsa fitimet për aksionerët i shpërndajnë në valutë të huaj. Forcimi i lekut ka bërë që e njëjta sasi e monedhës vendase të përkthehet në një vlerë më të lartë në valutë të huaj, kryesisht në euro.
Mesazhi i percjellë nga qeveria shqiptare në Berlin ishte i plotë për klimën e shëndoshë të investimeve në vend dhe për mundësitë e larta të fitimit në Shqipëri, sidomos për investuesit e huaj në sektorë strategjikë, si energjia e rinovueshme, turizmi, bujqësia, etj.
Fatos Çoçoli