BERZH-i mbështet investimet e gjelbra në sektorin e ndërtimit në Shqipëri
2024-10-11 15:33:35

Berzhi (Foto Atsh)

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po mbështet me një hua prej 3 milionë euro bankat tregtare në Shqipëri, për kreditimin e mëtejshëm të individëve dhe kompanive të ndërtimit me synimin për të përmirësuar standardet e gjelbra në këtë sektor.

Kredia do të mbështetet nga Bashkimi Europian (BE) përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe Fondit të Bashkëpunimit Japoni-BERZH, shkruan “ATSH”.

Huaja e BERZH-it, në kuadër të programit “Green Economy Financing Facility” (GEFF), do të mbështesë eficiencën e energjisë dhe investimet në energjinë e rinovueshme nga banorët individë, kolektivët e banesave, kompanitë e ndërtimit dhe sektori publik. 

Me instalimin e suksesshëm të teknologjive të gjelbra, pronarët e shtëpive do të përfitojnë nga pagesat stimuluese që do të arrijnë deri në 20 për qind të vlerës së kredisë.

Drejtuesja e BERZH-it për Shqipërisë, Ekaterina Solovova, u shpreh e kënaqur që vazhdojnë të mbështesin tranzicionin e ekonomisë së gjelbër në vend. “Financimi i GEFF-së do të mundësojë investime të rëndësishme në ndërtesat e banimit duke rritur eficiencën energjetike, dhe rrjedhimisht sjell uljen e faturave të energjisë për qytetarët shqiptarë dhe kursim energjie për vendin”,- tha ajo.

Financimi i GEFF do të sigurojë financimin për të mbështetur investimet në teknologjitë e gjelbra me performancë të lartë, materiale të qëndrueshme dhe zgjidhje inovative për banesat dhe ndërtesat e banimit në pronësi private.

Së bashku me aksesin në financa nëpërmjet kredive GEFF, pronarët e shtëpive do të marrin udhëzime për zgjedhjen dhe blerjen e pajisjeve të kursimit të energjisë, të tilla si izolimi, dritaret, pompat e nxehtësisë dhe panelet diellore, të cilat do të reduktojnë emetimet e gazeve serrë, do të ulin kostot e energjisë dhe do të përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre. (Irma)