Panairi i teknologjise (Foto Atsh)
Për të dytin vit radhazi, u Çel në Pallatin e Kongreseve në Tiranë panairi ndërkombëtar “Future2Tech”.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se ky panair bën së bashku profesionistë dhe entuziastë të teknologjisë, për të eksploruar zgjidhje inovative dhe zhvillimet më të fundit në këtë fushë, shkruan “ATSH”.
Ministri Gonxhja ftoi qytetarët të vizitonin stendën e MEKI-t, për t’u njohur me programet e kodimit që kjo ministri mbështet, si dhe me projektin “Gjenerata e Inovacionit” nga AIE, ku idetë më novatore të të rinjve 15-29 vjeç do të përzgjidhen si fitues dhe do të implementohen në administratën publike.
Ky aktivitet është një nga më të rëndësishmit për sipërmarrjet në fushën e teknologjisë dhe bizneset që lidhen me të.
Në panair morën pjesë 100 ekspozues, biznese, institucione dhe startup-e.
Gjatë këtij aktiviteti u zhvilluan 10 panele diskutimi mbi tendencat globale të industrisë, ndërsa dhjetëra folës prezantuan shërbimet më inovatore në treg.
“Future2Tech” i kushtohet teknologjisë dhe inovacionit, ku përfaqësues nga sektorë të ndryshëm kanë mundësinë të njihen me inovacionin e kompanive shqiptare në fushën e teknologjisë dhe të pasqyrojë nismat, përpjekjet, bashkëpunimet, mundësitë dhe sfidat e kësaj fushe si në shërbimin publik, edhe atë privat. (Irma)